Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka nisur një vizitë dy ditore në Bruksel dhe Strasburg ku dhe është takuar me Përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini me të cilën ka diskutuar për zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, sfidat rajonale, liberalizimin e vizave dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, shkruan Gazeta Express.
Pas takimit Hoxhaj u deklaroi për mediat se ka kërkuar nga Mogherini që të ketë më shumë presion nga Bashkimi Evropian (BE) ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Zhvillova një takim shumë të mirë dhe përmbajtësor me Shefen e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini. Diskutuam për shumë çështje të zhvillimeve politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe raportet mes Kosovës dhe BE-së pas nënshkrimit të MSA-së. Theksova nevojën për më shumë presion ndaj Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzim në rrugën e saj evropiane nëse vazhdon të ketë qasje bllokuese ndaj Kosovës. Pa një afatizim të dialogut dhe zbatim të marrëveshjeve, vështirë të flasim për progress dhe normalizim të mirëfilltë” ka thënë Hoxhaj.
Po ashtu, temë diskutimi ka qenë edhe cështja e votimit të demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën Hoxhaj ka shprehur se Qeveria e Kosovës ka vullnetin dhe gatishmërinë për ta miratuar sa më shpejt këtë marrëveshje.
Hoxhaj pritet të takohet edhe me Komisionerin Johannes Hahn, Komisionerin për Punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, Zëvendësekretarin e Përgjithshëm e të NATO-së, dhe shumë eurodeputetë. Sakte.net