Hoxhaj takon sekretarin e Përgjithshëm Jagland, me Këshillin e Evropës bashkëpunim i ri

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar në Strasburg, sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjon Jagland me të cilin ka diskutuar për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Këshillit të Evropës.

Në këtë takim, Hoxhaj e ka njoftuar Sekretarin Jagland për zhvillimet politike në Kosovë, nevojën e raporteve më përmbajtjesore ndërmjet Kosovës dhe Këshillit të Evropës dhe çështje të tjera.

Hoxhaj është shprehur optimist pas takimit për fillimin e një periudhe të re të bashkëpunimit.

“Sot kisha një takim jashtëzakonisht të mirë me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjon Jagland. Biseduam për një bashkëpunim më të madh dhe përmbajtjesor në mes të kësaj organizate dhe Kosovës. KiE është njëra prej organizatave më të mëdha në Evropë dhe ka një sërë programesh, iniciativash dhe aktivitetesh prej të cilave mund të përfitoj Kosova. Temë kryesore ishte si të ketë ketë një bashkëpunim më të mirë ndërmjet qeverisë, kuvendit, shoqërisë civile dhe KiE-së” ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj, gjatë ditës ka takuar komisionerin për Migracion dhe Punë të Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopolous ku kanë diskutuar për liberalizimin e vizave dhe një numër të konsiderueshëm të eurodeputetëve.