Hovenier: SHBA-ja e shqetësuar për incidentin në Zveçan

Shtetet e Bashkuara janë shprehur të shqetësuara për incidentin në veri të Kosovës më 10 prill, në të cilin dyshohet të jetë plagosur një pjesëtar i komunitetit serb.

Policia e Kosovës ka thënë më 11 prill se i ka suspenduar katër zyrtarë policorë, që dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast, përfshirë njërin që mund të ketë shtënë me armë zjarri.

Në orët e para të së martës, Policia e ka mohuar përfshirjen në këtë rast.

Kjo gjë e ka shqetësuar Ambasadën amerikane në Prishtinë, e cika ka bërë thirrje që të kryhen hetime kredibile.

“Të gjithë shtetasit duhet të kenë besim në transparencën e zyrtarëve për zbatim të ligjit dhe në sektorin e drejtësisë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara ndaj institucioneve për sundim të ligjit, avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multi-etnik”, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Sipas tij, “të gjithë personat përgjegjës për këto veprime kriminale, duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Disa media në gjuhën serbe e kanë cituar një burrë të ketë thënë se vetëm pjesëtarë të forcave speciale të Policisë së Kosovës kanë qenë prezente në kohën kur personi në fjalë është plagosur te Ura e Bistricës afër Zveçanit.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka dënuar më herët gjatë ditës, atë që e ka konsideruar sulm të kryer nga Policia e Kosovës.

“Ne po flasim për një burrë, i cili ka tre fëmijë, po flasim për një shofer taksie. Në atë pikë ilegale të kontrollit, Policia e Kosovës ndalon serbët çdo ditë dhe i ngacmon ata. Ne kemi thënë disa herë se ata nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në veri të Kosovës, sepse është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet”.

Komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë të banuara me shumicë serbe.

Ky rajon është shpesh vatër e tensioneve.

Javën e kaluar, një pjesëtari të komunitetit serb i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, i cili dyshohet se u ka vënë flakën veturave me targa RKS – Republika e Kosovës – në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga “struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi”, të cilat kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme