Gazetare: Ajnur Bafqari
Presidenti amerikan, Donald Tramp njoftoi se SHBA-ja ka pranuar një armëpushim dyjavor me Iranin, të ndërmjetësuar nga Pakistani, për t’u dhënë kohë palëve që të negociojnë një marrëveshje paqeje. Tramp njoftoi se po pezullonte bombardimet kundër Iranit, me kusht që Ngushtica e Hormuzit të rihapej, ndërsa Irani tha se do të lejonte kalimin e sigurt për anijet gjatë asaj kohe. Sekretari i mbrojtjes në SHBA shpalli fitoren ndaj Iranit.
“Në valën e mbrëmshme prej më shumë se 800 sulmesh, ne përfunduam shkatërrimin e plotë të bazës industriale mbrojtëse të Iranit, një shtyllë thelbësore e objektivit tonë të misionit. Ajo pak që u ka mbetur e varrosur në bunkerë është e gjitha që do të kenë”, tha Pete Hegseth, Sekretari i mbrojtjes i SHBA-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se ky vendim do t’i ulë tensionet.
“E mirëpres armëpushimin dyjavor për të cilin SHBA-ja dhe Irani u pajtuan mbrëmë. Ai sjell uljen e tensioneve, që është shumë e nevojshme”, deklaori Ursula von der Leyen, Presidente e KE-së.
“Qëllimi tani është të negociohet një fund i qëndrueshëm i luftës në ditët në vijim. Kjo mund të arrihet vetëm përmes diplomacisë”, tha Friedrich Merz, Kancelar gjerman.
“Presim që në ditët dhe javët në vijim ajo të respektohet plotësisht në të gjithë rajonin dhe të lejojë zhvillimin e negociatave. Dëshira jonë është të sigurohemi që armëpushimi të përfshijë plotësisht edhe Libanin”, deklaroi Emmanuel Macron.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka udhëtuar drejt Gjirit për të zhvilluar bisedime me liderët rajonalë, në përpjekje për t’u siguruar që Ngushtica e Hormuzit të hapet përgjithmonë pas armëpushimit. Emiratet e Bashkuara, Egjipti, Turqia e vende të tjera po ashtu kanë përshëndetur armëpushimin, ndërkohë që bëjnë thirrje për respektim nga të dyja palët./Alsat.mk.




