Gazetar: Avni Tahiri
Hyri në fuqi kufizimi i marazhës për rreth një mijë produkte ushqimore dhe higjienike. Qytetarët presin ulje reale të çmime pasi siç thonë me shtrenjtimet marramendëse nuk mund t’i sigurojnë as produktet bazë. Masa e qeverisë vlen deri më 30 prill.
“Çfarë keni blerë a mund të shohim? Sa u kanë kushtuar? Ja, 600 denarë, ja një bukë, një të zezë, detergjent, dy argeta, ja. Dhe sa u kushtuan këto? 600 denarë dhe s’kemi marrë asgjë hiç”, u shpreh një qytetar.
Këto ishin produktet të cilat ky çift që jeton nga ndihma sociale ka mundur të blejë sot në market për 600 denarë. Shkaku i çmimeve të larta, thonë se është shumë e vështirë që të sigurohen produktet bazë për një muaj me ndihmën sociale që marrin.
“Jetoni me ndihmë sociale? Po, me ndihmë. Nga sa merrni në muaj? Marrim nga 10 mijë denarë në muaj. Dhe a ia dilni më këto të ardhura? Jo, nuk mund t’ia dalim në fund të muajit. Është shumë e vështirë. Çmimet janë të larta, një kafe para një muaji ishte 250 denarë ndërsa tani është rreth 400 denarë. Çmimet nuk kishin lëvizur aspak, siç ishin ashtu janë”, tha një tjetër qytetar.
E përderisa ky çift vazhdoi rrugën për në pazar, që të kërkojnë çmimet më të lira të fruta perimeve që u kishin mbetur pa i blerë, për çmimet e larta u ankuan edhe disa qytetarë tjerë.
“Çdo gjë është e shtrenjtë, çdo gjë ka dalë jashtë kontrollit, kushtet janë katastrofë. Me pensionin nuk mund t’ia dalim jo, vetëm ndonjë ndihmë nga njerëzit se përndryshe nuk mund të jetohet me këto çmime pasi jemi si në Evropë, çmimet janë katastrofë”, tha një qytetar.
“Ku ka lirë? Më dërgoni diku ku ka lirë. Nuk ka market të lirë? Jo, nuk ka askund. A është e vështirë të jetohet me të ardhurat që merr? Po, e vështirë për mua, jetoj me pension dhe sa bukë e kripë të hamë, aq, më shumë s’ka. Pensioni i ulët, 200 euro dhe çfarë të bëjmë me aq”, theksoi një tjetër qytetar.
Nga sot e deri më 30 prill, çmimet e mbi 1000 produkte ushqimore dhe jo ushqimorë pritet të ulen pas vendimit të Qeverisë për kufizimin e marzhës dhe ngrirjen e çmimeve të disa produkteve. Etiketën “Më pak kosto, më shumë për ju” duhet të mbajnë produkte si, buka, mielli, qumështi, kosi, vezët, vaji i gatimit edhe disa produkte të tjera. Për mishin dhe produktet e mishit, sheqerin, orizin, fasulet, makaronat, djathin, margarinën, gjalpin, kafen, lëngjet, perimet dhe frutat e konservuara, si dhe për disa pije alkoolike është vendosur marzhë 10%, ndërsa 15% marzhë do të llogaritet për disa fruta dhe perime të freskëta dhe për produktet e higjienës personale dhe ushqimeve për fëmijë. Edhe përtej kësaj marzhë të caktuar nga Qeveria, qytetarët thonë se nuk mund të përballojnë çmimet me ato pak të ardhurat që marrin. /Alsat.mk