Hyseni tregon për mënyrën e vetme të lirimit të Nehat Thaçit

Institucionet e Kosovës pritet që së shpejti t’i dërgojnë një shkresë zyrtare qeverisë së Serbisë përmes së cilës do të kërkojnë lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi të Nehat Thaçit.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, i cili tha se janë duke u bashkërenduar me Ministrinë e Jashtme dhe me atë të Drejtësisë për veprimet e mëtejme, e të cilat, sipas ministrit Hyseni, duhet të jenë të matura.

Ministri i Brendshëm Skënder Hyseni, tha se vendimi për paraburgimin prej 30 ditësh të drejtorit rajonal të policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi, është marrë me rekomandim politik, dhe se kjo, sipas tij, është e papranueshme.

Ministri Hyseni tha se po punojnë që Beogradit t’i drejtohet një shkresë zyrtare për të kërkuar lirimin urgjent të Nehat Thaçit, përcjell televizioni publik.

Ministri Hyseni tha se lirimi i oficerit policor Nehat Thaçi mund të bëhet përmes veprimeve institucionale e jo përmes folklorizmave të tepruar. Ai tha se logjika e arrestimit të njerëzve që kanë marrë pjesë në luftën e fundit në Kosovë do të çonte në arrestime masive të serbëve dhe shqiptarëve.

Njohësit e rrethanave të sigurisë nga ana tjetër thonë së Kosova duhet të punojë që të ndërpritet kjo praktikë e njohur e shtetit të Serbisë.

Ministri Hyseni nga ana tjetër shprehet i bindur se zyrtari policor Nehat Thaçi do të lirohet shpejt, derisa shpreson se kjo çështje nuk do të ketë nevojë të diskutohet në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Drejtori rajonal i policisë në Mitrovicën e jugut Nehat Thaçi, është arrestuar të mërkurën e javës së kaluar në vendkalimin kufitar Kosovë-Serbi në Konçul, gjatë lëshimit të vërtetimit për hyrje në territorin e Serbisë.

Të premten autoritetet serbe i caktuan masën e paraburgimit prej 30 ditësh dhe tani Nehat Thaçi gjendet në Qendrën e paraburgimit në Nish.