Ka rinisur sërish në kanionet e Gjipesë aksioni për nxjerrjen e turistit polak, i cili prej ditës së djeshme ka mbetur i bllokuar në këto kanione, duke mbetur i dëmtuar rëndë në këmbë.
Turisti kërkoi ndihmë duke marrë në telefon policinë, ndërsa forcat zjarrfikëse të Vlorës, po vijojnë operacionin për nxjerrjen e tij nga humnera, aksion që ka nisur që prej mbrëmjes së djeshme, por që u ndërpre për shkak të errësirës.
Turisti polak ka ngecur në 50 metra thellësi në kanionin e Gjipesë, ndërsa po haset vështirësi për nxjerrjen e tij, pasi ka pësuar edhe fraktura. Prej pasdites së djeshme në vendngjarje kanë qenë zjarrfikësit, policia dhe urgjenca mjekësore.
Gjatë një turi që po bënte në Gjipe, mësohet se turisti ka pësuar frakturë në këmbë dhe nuk ka mundur dot të lëvizë, kjo edhe për shkak të terrenit të vështirë ku gjendet.
Rreth orës 13:30 të një dite më parë turisti polak ka telefonuar policinë për ndihmë. Ai është lokalizuar dhe forcat e policisë si edhe Delta Forcë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë t’a nxjerrë turistin.
Njoftimi i Policisë dje:
Më datë 08.04.2022, rreth orës 13:30, në Sallën e Komandës dhe Kontrollit DVP Vlorë, është marrë një telefonatë nga një shtetas Polak, turist, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ishte rrëzuar në vendin e quajtur “Kanionet e Gjipesë” dhe ka pësuar frakturë në një këmbë. Menjëherë në drejtim të tij janë nisur shërbimet e Policisë Himarë, MNZ Himarë dhe një mjet i Urgjencës Mjekësore. Gjithashtu janë nisur forca policie më të specializuara, konkretisht Delta Forcë, pasi terreni ku ka mbetur turisti polak është shumë i vështirë.





