Besnik Ajdini, ishte njëri ndër katër të akuzuarit për rastin e Kumanovës, të cilin Gjykata Themelore e Shkupit vendosi ta lërë të lirë. Ai ishte arrestuar ditën e 9 majit, kur dhe patën filluar luftimet në “Lagjen e Trimave”.
Besniku edhe pse ende i hutuar dhe ndër fjalët e pakëta që mundej të thoshte ishte se gjithë këtë kohë brenda qelisë edhe më shumë e ka mërzitur brenga për familjen, se si I kishte lënë të vetëm në shtëpi, për faktin se ai ishte koka e familjes.
“Mbrëmë isha i emocionuar fortë, sepse për herë të parë pas dy vite e gjysmë i pash fëmijët”, deklaroi Besnik Ajdini, i liruar nga akuzat për rastin e Kumanovës.
Duke përshkruar rrugëtimin e tij nga momenti i arrestimit e deri në burgun e Shutkës, Besniku tha se ai së bashku me pjesëtarët tjerë të grupit, kanë qenë të keqtrajtuar nga ana e forcave policore. Ajo që edhe më shumë e shqetësonte Ajdinin, ishte se nuk e dinte se përse është arrestuar.
“Më kanë çuar në stacionin policor, atje kam qëndruar deri më datën 10 maj në mbrëmje duke më marrë në pyetje inspektor të ndryshëm. Pastaj më çuan në Gjykatën Themelore Shkupi 1. Kur më çuan aty faktikisht nuk dija se çfar është duke ndodhur, më çuan para gjykatësit hetues me dhanë deklaratën, kur më kthyen në sallë, aty erdhën grupi Kumanovës, unë i kam parë për herë të parë aty, mu kanë dhimbsur, kanë qenë të përgjakur, kanë qenë të rrahur keq…pastaj nga aty duke na rrahur njësia speciale neve deri në burgun e Shutkës na kanë rrahur”, tha më tej ai për TV SHENJA.
Ai tha se tashmë kanë biseduar me avokatin për të kërkuar dëmshpërblim.
Nëna Zarifja e gëzuar tejmase që i është kthyer djali, thotë se e kanë përjetuar shumë rëndë mungesën e tij. Ndërsa edhe më vështrië e kishin kur fëmijët e kërkonin të atin pa ndëprerë.
“Mendja më rrinte tek ai, hap mbyll sytë, hyn dil unë mendjen tek ai e kisha. Ku po rrin Besniku, e ku po rrimë ne…Andi nga shkonte thoshte babi a vjen edhe vajza, ju thosha do vijë babi, nuk ka shkuar për të qëndruar gjithmon…u mërzitshim shumë, mbetëm vetëm pa djalin”, u shpreh Zarife Ajdini, nëna e Besnikut.
Besnik Ajdini, Fazli Osmani, Besnik Bajrami dhe Ibrahim Murtezani, as dy vite e gjysmë paraburgim, një ditë më parë lëshuan burgun e Shutkës dhe iu kthyen familjeve tyre.
Për luftimet në lagjen e Trimave, para 6 ditësh Gjykata Themelore e Shkupit shqiptoi gjithsej 746 vite burg për të akuzuarit, 8 dënime me me burg të përjetshëm 4 persona u lanë tërësisht të lirë.