Të tjera detaje janë publikuar nga operacioni i SPAK në Elbasan mëngjesin e sotëm (22 korrik) lidhur me akuzat për korrupsion ndaj gjyqtares Zamira Vyshka. Sipas burimeve të ABC nga grupi hetimor, Xhulio Musaj, i dënuari për të cilin janë paguar lekët, ka qenë i dënuar për plagosje.
Familjarët kanë tentuar të korruptojnë gjyqtaren Vyshka nëpërmjet avokatit të tyre mbrojtës Ilir Pashaj , duke i ofruar 2 milionë lekë. Por pas takimit me gjyqtaren, sipas SPAK ajo ka kërkuar më shumë para. Ngjarja ka ndodhur në 2021 dhe gjyqtarja ka marrë shumën e 4 milionë lekëve.
Informacionet për këtë rast korrupsioni SPAK i ka marrë në rrugë operative dhe në sajë të përgjimeve, pasi janë sinjalizuar për këtë rast korrupsioni. Për gjyqtaren Zamira Vyshka është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest shtëpie.”
Ndërkohë sipas njoftimit të SPAK, është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest me burg” për avokatin Ilir Pashaj dhe shtetasit Taulant Ramollari e Xhulio Musaj. Në arrest shtëpie është lënë edhe shtetasi A.T.
Avokati Ilir Pashaj ka qenë gjyqtar në Elbasan. Ky i fundit u largua nga sistemi para vettingut për mos plotësim të formularit të deklarimit. Prej 4 vitesh ushtron detyrën e avokatit./GSG