Bllokimi i rrugës kombëtare Librazhd-Pogradec ka shkaktuar një kaos në trafik prej orësh dhe ankth e revoltë qytetare, që kulmoi ditën e sotme.
Shkak u bë mosfunksionimi i rrugëve alternative dhe një prej tyre ishte ajo e Gramshit, duke krijuar përsëri probleme në qarkullim dhe bllokim.
Prefektura e Qarku Korçë ka njoftuar sot (21 shkurt) zyrtarisht bllokimin e plotë të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd–Pogradec, deri në një njoftim të dytë.
Vendimi vjen në vijim të informacionit të bërë publik nga ARRSH, Drejtoria Qendër-Lindje dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Korçë, për shkak të situatës së krijuar në këtë segment.
Sipas njoftimit, shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur në pikat kyçe: Kryqëzimi i Qafë Thanës, Kryqëzimi i Qafë Plloçës dhe Kryqëzimi i Maliqit, ku po orientojnë drejtuesit e mjeteve për devijimin e qarkullimit.
Autoritetet bëjnë me dije se do të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të Policisë. Strukturat e Policisë ndodhen në terren për monitorimin e situatës dhe orientimin e qytetarëve.
Njoftimi i plotë i Prefekturës Korçë:
“Në vijim të njoftimit të bërë nga ARRSH, Drejtoria Qëndër-Lindje, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan/ Korçë për bllokimin e plotë të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd–Pogradec, informojmë qytetarët se ky segment do të jetë i pakalueshëm deri në një njoftim të dytë.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur në pikat: Kryqëzimi Qafë Thanë, Kryqëzimi Qafë Plloçë dhe Kryqëzimi i Maliqit, ku po orientojnë drejtuesit e mjeteve.
Qarkullimi për mjetet deri në 3.5 ton do të devijohet në aksin Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët nuk lejohen të qarkullojnë. Do të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat, shërbimet zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë.
Strukturat e Policisë janë në terren për monitorimin e situatës dhe orientimin e qytetarëve. Për çdo emergjencë, telefononi në numrin pa pagesë 112. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.
Lutemi për publikim me qëllim sensibilizimin e drejtuesve të mjeteve të respektojnë përcaktimet / orientimet e ndërmarra nga strukturat përgjegjëse”.






