Viktor Daçi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria për tentativë vrasje që prej 2015, është kapur dhe arrestuar nga policia greke.
Teksa ka qenë duke drejtuar automjetin me targa YTK-8700, në pronësi të “SK TOURIST SERVICES”, në rrugët e Malevizi të Irakleos, është ndaluar për kontrolle rutinë nga policia rrugore dhe i është kërkuar leje drejtimi i mjetit.
Në mungesë të këtij dokumentacioni, Daçi ka paraqitur një kartë homogjeni grek, e lëshuar në datën 20/05/2021, me emrin Ermal Lazaj, mosha 44 vjeç.
Uniformave blu u është dukur e dyshimtë, e pas verifikimit ka rezultuar se karta ishte false, ndaj dhe Daçi është shoqeruar në komisariat.
Gjatë intervistimit autori ka pranuar se karta është false dhe ka deklaruar gjeneralitetet e tij të vërteta, konkretisht Viktor Pashk Daçi, 45 vjeç nga fshati Baz i Matit.
Pas verifikimeve në sistemin Interpol, 45 vjeçari ka rezultuar i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Qarku Dibër në Shqipëri për “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, prej datës 01.06.2015 për një ngjarje të ndodhur në 25.11.2014.
Përsa i përket emri të rremë që Daçi mbante, ai i Ermal Lazaj, rezultoi se ky i fundit është arrestuar më 26 maj 2023, në Agio Nikolao Lisithiou me 10 gram kokainë dhe në 22.10.2023 është proceduar nga policia e Agio Nikolaou për përdhunimin e një 23-vjecareje greke.
Menjëherë është vënë në prangat e policisë greke me qëllim nisjen e procedurave të ekstradimit, ndërkohë që është proceduar penalisht edhe për falsifikimin e kartës së homogjenit, për shkelje të ligjit mbi emigrantët dhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.