“I tha gruas sime se kishte kancer!”, Denoncimi i ri ndaj mjekes së arrestuar për vdekjen e këngëtarit Giorgos Mazonakis: Më diagnostikoi me mikrobe në gjak, na dha vitamina

Të tjera akuza janë bërë publike ndaj Ioanna Gaka, mjekes 56-vjeçare e cila ndodhet në paraburgim lidhur me vdekjen e Giorgos Mazonakis.

Një burrë ka denoncuar në televizionin grek SKAI se mjekja i kishte diagnostikuar bashkëshortes së tij kancer në tubat fallopiane, ndërsa më pas i kishte dhënë një qese me vitamina dhe suplemente.

Sipas denoncimit të Michalis Karakousis, mjekja i kishte thënë edhe atij se kishte “mikrobe në gjak” dhe se kishte nevojë për trajtim të menjëhershëm.

Çifti kishte vendosur t’i drejtohej mjekes pasi kishte dëgjuar se ajo mund të zbulonte sëmundje “të fshehura”, të cilat nuk shfaqnin simptoma të dukshme.

Sipas Karakousis, fillimisht u ekzaminua bashkëshortja e tij, e cila mori diagnozën për kancer dhe iu kërkua t’i nënshtrohej një sërë analizash.

Disa ditë më vonë, ai vendosi të kryente edhe vetë një kontroll. Ai pretendon se iu nënshtrua një procedure me një pajisje, gjatë së cilës duhej të qëndronte në këmbë për rreth një orë e gjysmë, dhe më pas i morën gjak.

“I pashë mikrobet, kisha mikrobe, m’i tregoi mjekja”, deklaroi ai.

Sipas tij, pas kësaj iu kërkuan analiza të tjera dhe iu dha trajtim mjekësor, por receta, siç pretendon ai, nuk ishte lëshuar nga vetë mjekja, por nga një tjetër doktor. Karakousis thotë se kur pyeti përse receta nuk ishte dhënë nga ajo, nuk mori përgjigje.

Më pas, çifti vendosi të kërkonte mendimin e mjekëve të tjerë. Sipas denoncuesit, këta të fundit i informuan se të dy ishin plotësisht të shëndetshëm.

Karakousis tha gjithashtu se një tjetër mjek, pasi ekzaminoi bashkëshorten e tij, i kishte thënë se ishte “jashtëzakonisht e pamundur” që ajo të zhvillonte kancer.

Për rastin, burri ka bërë një denoncim pranë Shoqatës Mjekësore, ndërsa pretendon se disa ditë më vonë mori një telefonatë nga klinika.

Sipas tij, mjekët e klinikës këmbëngulën se diagnozat e vendosura ishin të sakta dhe se të gjitha procedurat ishin kryer në mënyrë të ligjshme.

The post “I tha gruas sime se kishte kancer!”, Denoncimi i ri ndaj mjekes së arrestuar për vdekjen e këngëtarit Giorgos Mazonakis: Më diagnostikoi me mikrobe në gjak, na dha vitamina appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme