Gazetar: Mefail Ismaili
Kryetari i Komunës së Haraçinës Ridvan Ibrahimi, thotë se nuk është korrekte që fokusi për keqpërdorimin e energjisë elektrike është vendosur vetëm tek Haraçina pasi të dhënat flasin se në çdo komunë bëhet keqpërdorim i rrymës, shkruan Alsat.
Ai tha se dënim kolektiv për banorët e Haraçinës nuk duhet të ketë. Sipas Ibraimit, përgjegjësi për rritjen e keqpërdorimit të energjisë në Haraçinë ka udhëheqja e kaluar e komunës.
“Unë mendoj që mjaftueshëm është argumenti se para vitit 2017 nuk ishin këto numra të keqpërdorimit. Do të thotë se tek ne katër vitet e fundit të udhëheqësisë u lejua ai keqpërdorimi i energjisë sipas argumentit me të cilin ka dalë në prononcim edhe kompania EVN dhe mendoj se është e qartë se ku qëndron problemi”, tha Ridvani Ibraimi, kryetar i Komunës së Haraçinës.
Ndërkohë EVN ka vazhduar punën në terren.
“Edhe sot ekipet e EVN-së kanë vazhduar punën e tyre në Haraçinë për të zhvendosur orëmatësit e energjisë elektrike jashtë shtëpive ose nëpër shtylla. Sipas informatave nga terreni puna zhvillohet qetë pa probleme”, raporton gazetari i Alsat, Mefial Ismaili.
Nga EVN Home, thonë se punimet do të zgjasin për një kohë të gjatë, me qëllim të zbatimit të planit pas të cilit banorët e Haraçinës nuk do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike.
“Ekipet e elektrodistribuimit prej dje dolën në teren në Haraçinë dhe pa pengesë filluan me realizimin e fazës së parë të planit. Në këtë fazë bëhet inspektimi i rrjetit pas çka do të pasojë rikonstruimi për përmirësimin e furnizimit dhe rregullimin e defekteve të cilat ishin rezultat i lidhjeve ilegale. Rikonstruimi do të zgjasë me muaj, madje edhe më shumë se një vit. Realizimi i plotë i planit do të thotë furnizim pa ndërprerje dhe pa defekte për banorët e Haraçinës”, thonë nga EVN.
Nga EVN home kanë njoftuar se për shkak të numrit të madh të lidhjeve ilegale në Haraçinë vazhdimisht ka pasur defekte dhe ndërprerje të rrymës. Këto lidhje sipas kompanisë kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare për kompaninë si dhe probleme të shumta në rrjet./ Alsat.mk