Një zyrtar i lartë në Shtëpinë e Bardhë është detyruar të braktisë postin pas akuzave për abuzim me ish-bashkëshortet, të cilat ai i ka cilësuar si pjesë të një fushate të koordinuar ndaj tij.
Sekretari i stafit të Shtëpisë së Bardhë, njëkohësisht një nga njerëzit më të afërt të presidentit Donald Trump ka dhënë dorëheqjen. Lajmin e kanë konfirmuar burime nga selia presidenciale amerikane, transmeton abcnews. Dorëheqja e Rob Porter vjen dy javë pas akuzave se kishte abuzuar me dy ish-bashkëshortet e tij. Por në një deklaratë për shtyp të mbajtur në prag të dorëheqjes ai i mohoi akuzat.
“Këto akuza të qëllimshme janë thjesht një farsë. Unë kam qenë i hapur dhe i sinqertë sa i takon këtyre aludimeve burracake, por nuk kam ndërmend të vijoj publikisht një debat kundër një fushate të mirëkoordinuar ndaj meje”, tha Porter.
Largimi i Porter erdhi pavarësisht kundërshtimit nga ana e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly dhe zyrtarëve të tjerë. Akuzat u publikuan për herë të parë nga britanikja “Daily Mail” më herët gjatë javës. Porter ka patur një lidhje me shefen e zyrës së komunikimit në selinë presidenciale Hope Hicks, një nga figurat më influente të Krahut Perëndimor. Sidoqoftë, zëdhënësja Sarah Sanders bëri me dije se ai do të qëndrojë në detyrë për të garantuar një tranzicion të lehtë të menaxhimit të postit. Si sekretar i stafit, përgjegjësia e Porter konsistonte në kontrollin e fluksit të informacionit që qarkullonte në tryezën e Trump, përfshirë dhe urdhërat ekzekutivë të dhënë nga kreu i shtetit.