Ikja e mjekëve: Si u bë që mjekët 30-40 vjeçarë të shkolluar në Kosovë po ikin në Gjermani?

Kosova në dhjetë vitet e ardhshme rrezikon të mbetet pa mjekë e infermierë. Veç për 28 ditë të këtij viti, vendeve evropiane ia mësynë 45 mjekë. Përderisa në tri vitet e fundit kosovarët janë braktisur nga plot 538 mantelbardhë. Alarmit për një gjë të tillë vazhdon t’i mëshojë Oda dhe Sindikata e Mjekëve. Gazeta Nacionale ka provuar të kuptojë perspektivën e mjekëve që po ikin përmes rrëfimit të një mjekeje të re.

Me vështirësi të shumta e kreu shkollimin në Kosovë. Ëndrra e saj që nga fëmijëria ishte që të bëhej mjeke, profesion që e konsideron shumë human. Por, kjo ëndërr – edhe pas vitesh të tëra investimi – nuk u realizua në Kosovë.

Ka dy vjet që ajo profesionin e mjekes po e ushtron në Gjermani, larg shtëpisë dhe atdheut të saj.

Për gazetën Nacionale, Eneida ka rrëfyer se si ishte detyruar ta lëshonte Kosovën për një vend pune.

“Pas shumë vështirësive ndoqa ëndrrën time dhe fillova të shkollohesha në këtë fushë. Pas përfundimit të studimeve universitare mendoja që do më hapeshin dyert e suksesit dhe do ta vishja mantelin e bardhë, por ja që nuk rezultoi kështu”, thotë ajo.

Eneida tregon rreth përpjekjeve për punësim në profesionin e saj në Kosovë.

“Pas shumë përpjekjeve, shumë konkurseve, shume intervistave – që merrnin gjithmonë të njejtën përgjigje – fillova të mendoja që më duhet të ndërmarr diçka tjetër para se dëshira e kahmotshme të më shuhej”, shpjegon ajo.

E punësimin që nuk e gjeti në Kosovë, ajo e gjeti në Gjermani, e të cilin e përshkruan emocionalisht si “detyrim për t’i kthyer shpinën familjes së saj”.

Për 28 ditë nga Kosova u larguan 45 mjekë
Viteve të fundit, largimi i mjekëve nga Kosova, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, është parë si problematik nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe organizatave shëndetësore.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, në 28 ditët e fundit nga vendi u larguan 45 mjekë profesionistë

“Natyrisht që është shqetësuese e alarmuese situata. Ne e kemi rastin ku për 28 ditë nga Kosova janë larguar 45 mjekë. Nuk është vetëm motivimi arsyeja, janë edhe kushtet e punës, kushtet e shkollimit. Unë mund t’ju them se në Klinikën e Ortopedisë, aty ku unë punoj, 4 nga 12 ortopedët më të mirë kanë lënë vendin për një punë në shtetet evropiane”, thotë Pleurat Sjediu nga Oda e Mjekëve Kosovarë.

Sejdiu i bie alarmit se ky trend mund ta lë Kosovën duke lënguar për mjekë.

Edhe nga Sindikata e Mjekëve shprehin pakënaqësitë e tyre për trajtimin e profesionistëve shëndetësorë në Kosovë.

“Është për keqardhje trajtimi që u bëhet mjekëve në Kosovë, duke u nisur nga paga, e për të kaluar pastaj tek kushtet e punës”, thotë Blerim Syla nga Sindikata e Mjekëve të Kosovës.

Ai tregon edhe për moshën mesatare të atyre që po e lënë Kosovë.

“Janë moshë shumë e re, nën 30-40 vjeçarë”, informon Syla.

Ministri i Shëndetësisë premton transformim të shëndetësisë
Reformë në sektorin e shëndetësisë po premton i pari i Ministrisë së Shëndetësisë, Rifat Latifi.

“Transformimi nuk mund të bëhet në zyrë, apo në dhoma të bordeve të ndryshme, por transformimi i shëndetësisë do të bëhet aty ku janë mjekët, infermierët, e pacientët. Do ta kem në qendër të vëmendjes këtë problematikë”, ka deklaruar ditë më parë ministri i Shëndetësisë.

E sipas të dhënave, paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa shembull në Gjermani, ata paguhen deri në 4000 euro.

Ndryshe, sipas odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë e 92 punonjës shëndetësorë të licensuar dhe prej tyre 14 mijë e 966 janë gra dhe 9 mijë e 126 burra.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme