Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Dritëro Agollit.
Duke kujtuar takimin e fundit me shkrimtarin në Tiranë, Thaçi ka shkruar se Agolli ka lënë pas vetes një trashëgimi të madhe shpirtërore.
“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e Dritëro Agollit. Para disa muajve pata një takim të ngrohtë me Dritëron në Tiranë, me shkrimtarin, poetin dhe intelektualin e shquar kombëtar që pas vete la një trashëgimi të madhe shpirtërore”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
“Ai ishte autentik në krijimtari artistike, por edhe në bindjet e tij politike. Bota shqiptare në veprën e tij letrare u trajtua estetikisht me dimensione të thella, duke shpërfaqur fatin e njeriut tonë, jetën, vdekjen, punën e mbi të dashurinë ndaj atdheut. Kultura shqiptare mbeti pa njërin nga titanët e mëdhenj. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Agolli!” ka shkruar Thaçi.
Humbje të madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare, e ka quajtur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se Agolli ishte mjeshtër i rrallë i poezisë dhe prozës letrare.
“Vdekja e Dritëro Agollit është një humbje e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Agolli ishte mjeshtër i rrallë i poezisë dhe prozës letrare, por edhe një intelektual që në angazhimin e tij politik transmetonte gjithmonë urtësi, humanizëm dhe mendime vizionare për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe kudo që ata jetojnë”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Kryetari i AAK-së Ramus Haradinaj ka shkruar një status në Facebook me anë së cilit ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e shkrimtarit Dritëro Agolli.
Postimi i Haradinajt në Facebook:
Dritëroi me poezinë e të cilit u rritëm, do të na përcjellë edhe në vjeshtën e jetës! Pusho i qetë plaku i poezisë shqipe!