Ilaçi i diabetit e rikthen ndjeshëm kujtesën e humbur

Një ekip në Universitetin Lancaster në Brtani të Madhe ka zbuluar se një ilaç i dizajnuar për ta trajtuar diabetin e tipit 2 mund ta mbajë çelësin për ta luftuar humbjen e kujtesës e cila e shoqëron sëmundjen e Alzheimerit. Studimi i tyre është publikuar në Brain Research.

Medikamenti është një ilaç i receptorit të trefishtë i cili i kombinon faktorët e rritjes GLP-1, GIP dhe Glucagon për ta mbrojtur trurin nga degjenerimi. Hulumtuesit e testuan ilaçin duke përdorur minj transgjenikë duke i shprehur gjenet e mutacionuara që e shkaktojnë Alzheimerin tek njerëzit. Këto gjene janë të trashëguara në familje dhe janë përgjegjës për një formë të Alzheimerit që mund të trashëgohet.

Hulumtuesit i vëzhguan minjtë derisa hynin në një labirint të ujit. Ata zbuluan se minjtë e trajtuar me komponentin e diabetit e treguan një kujtesë dhe ndjenjë të përmirësuar të drejtimit, transmeton Koha.net. Për çudi, ilaçi jo vetëm që dukej se e mbronte trurin, por edhe i rikurperonte disa nga dëmtimet e shkaktuara nga pllakat amiloide të cilat i vrasin vazhdimisht neuronet e pacientëve me Alzheimer.

“Mënyra se si funksionon ilaçi është se mund t’i ndihmojë neuronet për t’i riparuar dhe rikthyer funksionet e tyre përsëri. Nuk mund t’i kthejë neuronet e vdekura – sapo të zhduken, ato janë zhdukur”, tha autori kryesor Christian Holscher nga Universiteti Lancaster për Futurism. “Megjithatë, ka shumë neurone të stresuara që janë ende gjallë por nuk funksionojnë siç duhet. Këtu edhe është dritarja e mundësive.”

“Studimet e para klinike e treguan të njëjtin efekt tek njerëzit, kështu që nuk është vetëm një artefakt i miut”, shtoi Holscher. “Një studim klinik i fazës II i kohëve të fundit në pacientët me Parkinson i tregoi disa rezultate vërtetë të këndshme, kështu që jemi afër!”

Për shkak se diabeti është një faktor rreziku në sëmundjen Alzheimer, disa shkencëtarë shpresojnë që barnat e diabetit mund të jenë trajtime efektive për neurodegjenerimin. Sipas studimit, lidhja midis këtyre të dyjave mund të jetë se sinjalizimi i insulinës është i dëmtuar në trurin e pacientëve me Alzheimer. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjitha barnat e diabetit mund të ndihmojnë edhe në trajtimin e sëmundjeve të trurit.

“E kemi testuar një varg ilaçesh të diabetit, por jo të gjitha ato tregojnë efekte të tilla mbrojtëse”, tha Holscher. “Metformina është testuar në pacientët me Alzheimer, por nuk ka treguar asgjë.” Barnat që janë treguar se funksionojnë janë nga klasa e agonistëve “hormon inkretin”, të cilat përdoren për t’i mbajtur nën kontroll nivelet glikemike në pacientët diabetikë.

Derisa hulumtimi i ekipit të Universitetit Lancaster është premtues, ai i ka disa mangësi.

“Të dhënat e kafshëve të paraqitura këtu sugjerojnë se ky mund të jetë një trajtim potencial modifikues i sëmundjes, por këto eksperimente u kryen me një peptid që u injektua çdo ditë, gjë që nuk është shumë e mundshme në mjediset klinike”, tha për Futurism, Dean M. Hartley, drejtor i iniciativave shkencore në Alzheimer’s Association,. Ai gjithashtu vuri në dukje se modelet e kafshëve kanë qenë tradicionalisht të varfra në parashikimin e efikasitetit të njeriut në trajtimet e sëmundjes Alzheimer.

Eliezer Masliah, drejtor i Divizionit të Neuroshkencës në Institutin Kombëtar për Plakje, shprehu optimizëm skeptik në rezultatet e studimit.

“Rezultatet e tyre janë në interes të madh për shkak të nevojës urgjente për të zhvilluar trajtime për Alzheimerin,” tha ai për Futurism. “Megjithatë, do të nevojiten studime më të hollësishme për ta përcaktuar përkthyeshmërinë e kësaj pune [në sëmundje]. Për shembull, në ç’dritare kritike të sëmundjes së Alzheimerit do të jetë më efektive kjo klasë e ilaçeve”

Përgjigjet në pyetjet e Masliah dhe të tjerëve mund të shfaqen përmes hulumtimeve të mëtejshme. Pasi të përfundojë testimi i fazës II, një provë e mundshme e fazës III në njerëz mund të pasojë. Pas kësaj, komponenti i ri mund të licencohet si një trajtim për sëmundjen Alzheimer, përcjell Koha.net. “Afati kohor do të varet nga financimi; i cili zakonisht është faktor kufizues”, tha Holscher. “Mund të jetë brenda vetëm tre viteve, por pesë vjet është një vlerësim më realist”.

Përafërsisht 44 milionë njerëz në mbarë botën kanë Alzheimer, por sëmundja ndikon në jetën e shumë më shumë njerëzve se kaq. Familja dhe miqtë vuajnë së bashku me të prekurit, duke i parë se si të dashurit e tyre ngadalë i humbasin aftësitë e tyre kognitive. Nëse hulumtimi i ekipit të Universitetit Lancaster mund të ndihmojë në rikuperimin e humbjes së kujtesës të shkaktuar nga sëmundja e Alzheimerit, ndikimi do të ishte i jashtëzakonshëm.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme