Ilaçi që kushton 3 mijë euro, barrë e pacientëve

Sakte.net  /  E enjte, 13 Tetor 2016  –  10:08

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka vendosur që të ndërpresë financimin e barnave për fëmijët e sëmurë nga hipertensioni pulmunar, shkruan sot Koha Ditore.

Hipertensioni pulmunar është një sëmundje e rëndë, e cila prek në veçanti vajzat. Terapia për këtë sëmundje është e shtrenjtë. Deri këtë vit MSH-ja i ka paguar barnat.

Prindërit e fëmijëve do të detyrohen të paguajnë shuma të mëdha parash. Dhe, nëse nuk arrijnë të sigurojnë barnat atëherë kjo mund të këtë pasoja fatale për fëmijët e tyre. Bari “Tracleer” i njohur në tregun ndërkombëtar si “Bonestan” është terapia kryesore, e cila përdoret për trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Kjo sëmundje nuk është e fituar, por e lindur dhe kjo terapi është e përjetshme nëse nuk bëhet zgjidhje me transplantim. Çmimi i këtij bari është rreth 3 mijë euro. Ministria e Shëndetësisë nuk e ka në Listën esenciale. Lista esenciale përmbledh produktet kryesore me të cilat shteti është i obliguar të furnizojë institucionet publike spitalore.