Ilda Zhulali: Mediat ndërkombëtare po rrëzojnë imazhin e Ramës, etiketohet gjithnjë e më shumë si autokrat

Ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, deklaroi në emisionin Task Force se qeveria shqiptare po përballet me presion në rritje nga institucionet dhe mediat ndërkombëtare, duke e akuzuar se ka mashtruar lidhur me pezullimin e punimeve në zonat e mbrojtura.

Sipas saj, eurodeputetët që vizituan Shqipërinë konstatuan në terren se punimet kishin vijuar, pavarësisht deklarimeve zyrtare për pezullimin e tyre. Ajo kritikoi edhe shpjegimin e dhënë nga ministri i Mjedisit për ndërtimin e një rruge në zonën e mbrojtur, duke e cilësuar të pabesueshëm.

Zhulali u ndal edhe te veprimet e opozitës në Kuvend, duke thënë se kërkesat për shfuqizimin e katër ligjeve janë refuzuar nga shumica parlamentare. Sipas saj, opozita nuk po bojkoton institucionet, por po kundërshton normalizimin e situatës politike.

Ajo tha gjithashtu se Edi Rama ndodhet për herë të parë nën një presion të organizuar ndërkombëtar dhe se, sipas saj, imazhi që ai ka ndërtuar jashtë vendit po dëmtohet.

Zhulali:

Fuqinë nuk mund t’ia shtojë, por shiko me kë kemi të bëjmë ne. Pak, një muaj më parë, ne patëm një njoftim zyrtar nga Komisioni Europian që thoshte që ne kemi marrë premtim nga ministri shqiptar i mjedisit se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura janë pezulluar dhe çdo punim atje është i pezulluar. Ndërkohë që diçka e tillë nuk ishte e vërtetë fare në Shqipëri. Pra, çdo gjë vazhdonte sikur s’ka ndodhur asgjë, përkundrazi kryeministri këtu brenda tha që ne do të vazhdojmë, s’kemi asgjë për të tërhequr nga ajo që kemi bërë deri më parë. Patëm eurodeputetët e Parlamentit Europian që erdhën në Tiranë. Shkuan, takuan ministrin, i cili përsëriti të njëjtën gënjeshtër, mirëpo ato kishin shkuar në terren.

E kishin bërë vetë inspektimin, kishin shkuar pa leje. Dhe kishin parë një rrugë atje që ishte 7 kilometra e shtruar. Dhe i thanë ministrit, dakord, meqenëse juve na premtuat një muaj më parë që këtu s’do ketë asgjë dhe ka një pezullim të çdo gjëje, nga doli kjo rrugë dhe pse është bërë kjo rrugë? Dhe ministri pastaj arrin deri në kulmin e gënjeshtrës, mashtrimit më të madh dhe i thotë që, kjo rrugë bëhet sepse ne duhet të bëjmë studim se si ta ruajmë zonën e mbrojtur. Pra e prishim zonën si ta mbrojmë zonën. Dhe dy eurodeputetët dhe nënkomiteti i Parlamentit të Stabilizim-Asociimit thanë: në asnjë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, por ne besojmë që në asnjë vend të botës nuk mund të ndodhë që ti shkon ndërton një rrugë, që të bësh një studim, pra e prish gjithë habitatin, që të bësh një studim si ta mbrosh habitatin. Pra dhe ata e kanë kuptuar në ç’pikë ka arritur qeverisja e Edi Ramës dhe mënyrën se si ai mashtron, në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë Komisionin Europian, qoftë qytetarët këtu.

Në të njëjtën kohë që kryeministri bën këtë deklaratë atje, në fakt në parlament ka kërkesë zyrtare nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike për shfuqizimin e katër ligjeve, të ligjit për investimet strategjike, për zonat e mbrojtura, paketën e maleve dhe për trashëgiminë kulturore dhe muzetë. Dhe nuk kanë pranuar që t’i fusin në rendin e ditës. Po ashtu është bërë e njëjta kërkesë për t’i futur këto ligje në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, dhe zoti Hasani, ish-ministri i jashtëm, po ashtu refuzoi, me kartonat që ata kanë, me numrat që kanë, për ta bërë këtë. Pra ata ndryshe flasin në Bruksel, ndryshe flasin këtu. Këtu nuk është se opozita është e paaftë, opozita mund të operojë brenda hapësirës që ka, nuk mund të bëjë asgjë më tepër sesa kaq. Por besoj që sot edhe ata të huaj që deri dje bënin sikur nuk e kuptonin me kë kishin të bënin, sot e kanë të qartë. Dhe sot Edi Rama gjendet përpara, jo vetëm presionit të opozitës, gjendet edhe përpara presionit të protestës, por gjendet edhe përpara një presioni që po i bëhet në mënyrë të organizuar në mediat ndërkombëtare.

Jo, nuk është bojkot. Kjo është që ne nuk lejojmë që aty të zhvillohet një jetë normale parlamentare sikur nuk ndodh asgjë jashtë dyerve të parlamentit, ndërkohë që ka një kërkesë urgjente që ka ardhur dhe nga protesta, ka ardhur dhe përmes formalizimit të kërkesave nga protesta, që janë këto… katër ligje, pra shfuqizimi për katër ligje në mënyrë urgjente, në mënyrë që të mos vazhdojë gllabërimi i pasurive publike të shqiptarëve. Kështu që opozita nuk mund të sillet sikur në Shqipëri ka normalitet.Po po ashtu edhe tryeza, po po ashtu e treguan edhe komisionet e posaçme, qoftë për reformën territoriale, qoftë për reformën zgjedhore, po e tregojnë dhe po e nxjerrin të vërtetën sheshit që Edi Rama nuk ka ndërmend as të bëjë reforma dhe asgjë, por opozita nuk mund t’i bëhet fasadë asaj, si të thuash, objektivit politik që ai ka.Nuk e ka bojkotuar Partia Demokratike, por Partia Demokratike përmes këtyre akteve, gjesteve politike do të tregojë që ne nuk mund të sillemi sikur këtu nuk ndodh asgjë jashtë… poshtë zyrës së kryeministrit shqiptar.

Doja të thoja këtë, që ne kemi sot zhvillimin më të rëndësishëm është ky, që për herë të parë pas kaq kohësh Edi Rama është nën shënjestrën e mediave ndërkombëtare në mënyrë të organizuar. Dhe këta sot po e zhgërravisin portretin që ai ndërtoi dikur. Kjo është e para, elementi i parë. Elementi i dytë është fakti që Edi Rama po përdoret, si të thuash, çdo ngjarje në Shqipëri, qoftë kjo kulturore, qoftë politike e rëndësishme apo periferike, po përdoret për ta goditur Edi Ramën.

Dhe për t’i, si të thuash, për ta shënjestruar atë deri në pikën që konsiderohet si një autokrat dhe diktator nga të fundmit ose të rishfaqur, si të thuash, nga e kaluara në Shqipëri. Dhe e treta është që po i përdoren të njëjtat agjentë që ai pati përdorur dikur për të ngritur imazhin e vet dhe për të lobuar, sot po i keqpërdoren ose po i kthehen bumerang pas për t’ia zhgërravitur këtë imazh.

The post Ilda Zhulali: Mediat ndërkombëtare po rrëzojnë imazhin e Ramës, etiketohet gjithnjë e më shumë si autokrat appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme