Kërkesën për të marrë pasaportën zvicerane, për vete, bashkëshorten dhe dy fëmijët, imami i njohur nga Maqedonia Bekim Alimi e kishte bërë më 2 qershor 2015, në sekretariatin e Këshillit për Natyralizim. Këshilli në fjalë ia kishte miratuar kërkesën gjithë familjes sa i takon natyralizimit në nivel të komunës dhe vendbanimit.
Por kundër këtij miratimi, më 11 korrik 2016 ishte ushtruar një ankesë.
Personi që kishte bërë ankesën kishte shkruar se natyralizimi i Alimit pa u bërë sqarimi i plotë i profilit të tij përbënte rrezik për sigurinë, duke pasur parasysh postin e tij dhe rolin që luan ai si personalitet me ndikim.
Pasi që ankesa e prekte vetëm Alimin personalisht, kërkesa e gruas dhe fëmijëve qe përpunuar në mënyrë të veçantë, kështu që ata i kishin fituar pasaportat zvicerane më 22 gusht 2017.
Të kujtojmë: Imami i xhamisë së Wilit, Bekim Alimi është një personalitet i njohur për opinionin jo vetëm të qytetit Wil por edhe më gjerë. Ai kishte përfaqësuar myslimanët e Zvicrës në solemnitetin e hapjes së tunelit të Gotthardit në qershor të vitit 2016, shkruan albinfo.ch. Por në sfondin e kësaj pjesëmarrje, ndaj tij ishin drejtuar kritika të ndryshme. Kështu, deputeti kantonal i Tiçinos nga FDP, Fabio Schnellmann kishte akuzuar imamin se mbante kontakte me qarqe radikale.
Ai, në gazetën “Schweiz am Wochennde” kishte deklaruar se Bekim Alimi mban kontakt me persona të dyshimtë nga qarqe radikale salafiste. Atëbotë kishte dalë një video ku Alimi shihej pranë imamit të kontestuar kosovar Shefqet Krasniqi, i cili ishte burgosur si i dyshuar për ekstremizëm islamik. Schnellmann kishte thënë po ashtu se Alimi është në kontakt edhe me ISZR (Këshillin Qendror Islamik të Zvicrës), përcjell albinfo.ch. Këtë e dëshmonte me një fotografi ku imami shqiptar dukej afër kryetarit të ISZR, Nicholas Blancho.
Mirëpo, siç thuhet në mocionin e këshillit për natyralizim drejtuar parlamentit të qytetit, prononcimet e bëra nga Alimi, ashtu si dhe ato nga Policia Kantonale, nga NBD (Shërbinmi Informativ i Zvicrës) dhe Sekretariati Shtetëror për Migracion tregojnë se nuk ka baza që shtetasi i Maqedonisë të mos natyralizohet. Kështu, ky këshill kishte vendosur më 12 shator që Alimit t`i miratohej në nivel të komunës dhe vendbanimit kërkesa për natyralizim, pasi që nuk ekzistonin baza që do të arsyetonin hedhjen poshtë të natyralizimit.
Mirëpo ankuesi nuk ishte tërhequr. Për këtë arsye Parlanenti i Qytetit të Wilit duhet të vendosë lidhur me këtë mocion, ashtu që pjesëtarët e parlamentit do të deklarohen lidhur me kërkesën për natyralizim të Alimit dhe në fund parlamenti do të vendosë
Ndërkaq, Bekim Alimi konsiderohet si i moderuar. Ai ishte mbrojtur kundër akuzave të bëra. Fotografitë ku ai shihet me Krasniqin janë bërë vite më parë me rastin e një manifestimi në Kosovë ku ksihte pasur shumë imamë të pranishëm, transmeton albinfo.ch.
“E kam takuar atë, është e vërtetë. Por kjo nuk do të thotë se unë jam radikal”, kishte thënë Alimi për “Schëeiz am Ëochenende”.
Fotografia me Nicholas Blanchon ishte bërë në të njëjtin aktivitet, në vitin 2011. Fakti se ai ndodhet në një fotografi të përbashkët me të, nuk do të thotë se ndan mendimet me të. Ai nuk ka kontakte me Blanchon. Albinfo.ch