Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë natës së mbrëmshme në magjistralen Mitrovicë-Jarinjë ka ndaluar një kamion që transportonte dele pa dokumentacion kurse gjatë kontrollit janë hedhur mjete piroteknike nga disa automjete që janë afruar drejt njësive policore.
Nga këto mjete nuk ka pasur persona të lënduar. Kurse, kamioni është shoqëruar në terminalin doganor në Mitrovicë Jugu për procedura të mëtejme, shkruan Reporteri.net.
“Mbrëmë, më 10.06.2022 rreth orës 22:15, patrulla policore e policisë kufitare, gjatë patrullimit në magjistralen Mitrovicë-Jarinje, në fshatin Rudar të Zveçanit, ka vërejtur një kamion të cilin e ka ndaluar për kontroll. Kamioni drejtohej nga një mashkull kosovar, gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur 56 (pesëdhjetë e gjashtë) krerë dele. Drejtuesi i kamionit nuk posedonte asnjë dokument për origjinën ose prejardhjen e kafshëve. Gjatë procedurave të kontrollit të kamionit, kanë ardhur disa automjete të dyshuara nga të cilat janë hedhur mjete piroteknike në afërsi të njësisë policore. Nga këto mjete nuk ka pasur persona të lënduar. Kurse, kamioni është shoqëruar në terminalin doganor në Mitrovicë Jugu për procedura të mëtejme”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Për rastin janë njoftuar njësitet policore nga rajoni i Mitrovicës Veri të cilët do të procedojnë me shikimin e vendngjarjes. Policia mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe zbatimin e ligjit në tërë territorin e vendit.