Ndërsa fsheh emrat e pronarëve të inceneratorëve, vitrina elektorale e qeverisë ekspozon çdo ditë portrete këngëtarësh e artistësh që i bashkohen tallavasë së pushtetit për një mandat të tretë. Në fakt, ka një korelacion interesant midis dy fenomeneve: sa më i korruptuar një pushtet, aq më shumë ai ka nevojë për mjete trukuese.
Ndërsa partnerët e saj të vërtetë fshihen pas kompanish të sajuara që marrin miliona euro nëpër tendera abuzivë, qeveria sfilon me figura të konsumuara ekranesh, të rekrutuar lirë me projekte kulturore bashkiake.
Natyrisht, efekti i këtij marketingu nuk mund të jetë i madh. Përgjithësisht këtë e bëjnë pushtete të konsumuar, që e kanë nisur me kohë dishezën. Nevoja e dëshpëruar për të krijuar idenë e një mbështetjeje masive tregon vetëm faktin se qeveria po braktiset nga shumë prej atyre që kanë bashkëudhëtuar me të.
Interesante këtu është njëfarë ndarje e punës. Ndërsa Kryeministri merret me pazaret e mëdha, duke u përpjekur të rekrutojë partnerë nga bota e biznesit, pazaret e vogla, për të rekrutuar personazhe gossip nga bota e spektaklit, i mbyll Veliaj. Prej 6 vitesh tashmë, ai e ka ushtruar shumë këtë zanat, duke e përdorur mirë buxhetin e bashkisë, në funksion të karremave të favoreve, miklimeve, projekteve të vogla, nëpërmjet të cilave mund të krijosh një magazinë plot me manekinë figurantë për paradat elektorale.
Dhe kjo bëhet lehtë në këtë vend ku pazari i artistit është fare i ulët. Diku me oferta për koncerte, diku me një vend pune apo pjesëmarrje në borde, diku me një çmim apo dekoratë, diku edhe me heqje shpenzimesh për të festuar ditëlindjen, mund të grumbullosh lista të gjata artistësh low coast, të cilët janë gati të luajnë muzikën e preferuar të lajkatimit të pushtetit. Dhe kjo nuk është pak. Ka ende artistë që mund ti mbash në tavolinë të të japin shfaqje humori për një gotë raki.
E gjithë kjo tregon në fakt një inflacion vlerash që natyrisht shfaqet edhe në art. Nëse dikush ka talent dhe di të këndojë, të aktrojë apo të bëjë për të qeshur, kjo nuk mjafton për të qenë artist. Arti në vetvete është një veprimtari e rëndësishme njerëzore që paraqet disa të vërteta me vlerë për shoqërinë.
Duke qenë në këtë fushë, artisti nuk mund të rreshtohet në shërbim të një pushteti kaq të zhytur në mashtrim, korrupsion dhe abuzim. Ai që e bën këtë tregon sigurisht se nuk ka respekt për as për profesionin e tij, as për publikun që e duartroket dhe as për figurën dhe reputacionin e vet personal. Prostituimi i profesionit është nga veprimet më të shëmtuara që mund të bëjë një artist, nëse vërtetë është i tillë.
Është normale që një artistë të ketë bindjet e veta politike e madje ti shfaqë e promovojë ato publikisht, ndonëse historikisht ka pasur gjithmonë rezerva që venë në diskutim se kur dhe si mund të bëhet kjo. Ka studiues e intelektualë që shprehen madje edhe se arti në vetvete është një veprimtari e mirëfilltë politike.
Por cilës politikë? Sigurisht që bëhet fjalë për politikën si sferë e veprimtarisë njerëzore e cila kërkon të ndryshojë realitetin në funksion të ideve, kauzave dhe vlerave më të larta, jo të politikës si fushë e ndarjes së llokmave të pushtetit, parave, ofiqeve dhe interesave.
Nëse artisti ka një angazhim politik, për nga vetë natyra, ai është përherë opozitar. Ai është i tillë sepse kërkon të ndryshojë realitetet në funksion të përmirësimit të tyre. Madje edhe kur është në krah të opozitës, artisti nuk e bën këtë për arsye përkatësish politike, por për arsye vlerash përtej politikës ngushtësisht partiake.
Para disa kohësh pati një debat në SHBA, mbi faktin se një mori artistësh kishin dalë kundër Presidentit Trump, duke mbështetur palën tjetër. I pyetur për këtë, legjenda e muzikës rock, Alice Cooper reagoi me shumë thjeshtësi e kthjelltësi duke pohuar se artisti mund të angazhohet në politikë vetëm në shërbim të një kauze dhe kurrë në shërbim të një partie apo udhëheqësi.
A mund të thotë kush se cilat ide të mëdha shoqërore e kulturore përfaqëson pushteti i sotëm për të tërhequr përkrahjen e njerëzve publikë nga arti dhe kultura? A mund të na thotë kush se cilat bindje filozofike a kulturore promovon Eli Fara, Artiola Toska, për të besuar se do ti gjejnë ato të mishëruara tek kjo qeveri? A mund të na thotë kush se cilat janë kauzat për hir të të cilave personazhe të tillë sakrifikojnë etikën dhe higjenën neutrale të mospërfshirjes në një fushatë banale pushteti si kjo?
Nëse pazari i tyre është kaq, sa vlerë duhet të ketë arti i tyre?