Taksisti hebre dhe ambasadori në Paris

Nga Veton Surroi

 

Në lojën e identiteteve brenda javës, Trumpi në Amerikë dhe incidenti me Charlie Hebdo në Paris sërish i çojnë Kosovën e shqiptarët në Lindje të Mesme dhe “vende islamike”

1.

Në një barsoletë të vjetër të Irlandës Veriore, një ushtar britanik i patrullës që ndan zonën katolike prej asaj protestante të Belfastit e ndal një taksi. Me tonin e vrazhdë të dikujt që beson se është në luftë, e me tytë automatiku si dëshmi, ushtari e pyet taksistin:

-Katolik apo protestant?

Me zë qetësimi, apo ndoshta reflektues të frikës nga kjo situatë, taksisti përgjigjet:

– Hebre.

– Hebre katolik apo hebre protestant? – pyet i pabindur ushtari.

Ka kohë që kjo barsoletë më shërben për ligjërimin, mes tjerash, e si në këtë rast edhe për dy rrëfime paralele identitare.

I pari është se çdonjërit i kërkohet të ketë një identitet brenda një konflikti. Pra, çdokush duhet të jetë “katolik” apo “protestant” si në rastin e Irlandës së Veriut. Apo duhet të jetë boshnjak mysliman a serb a kroat në Bosnje e Hercegovinë (aty ku shumë vështirë dallon se kush është kush), apo do të jetë “mysliman” a i “krishterë” në Gjermani e Francë, apo është “LDK” a “UÇK” më 1999 e 2000.

Ndaj, kur të vijë puna te postblloku i atij ushtari, apo postbllokut virtual në debate politike në rrjete sociale a TV – nuk është me rëndësi se a je mjeke, taksist, studente e agronomisë apo shitës në supermarket, a e lexon Orhan Pamukun, je adhurues i qenve apo e dëgjon Arif Vladin në veturë – me rëndësi është të përmbushësh kategorinë identitare brenda vijës së konfliktit (a fërkimit). Pyetja është: a je “katolik” a “protestant”?

Dhe i dyti është se në këtë konstelacion nuk të lihet të zgjedhësh të mbetesh jashtë konfliktit. Pra, edhe nëse je “hebre”, si taksisti i barsoletës, domosdo duhet të përzgjedhësh të jesh “hebre katolik” apo “hebre protestant”. Dhe kështu të definosh lehtësisht absurdin.

2.

Në këtë rast identitetet shërbejnë si shenja të pranisë së konfliktit. Pra, pyetja e ushtarit “protestant” a “katolik” tregon se ekziston konflikt mes tyre. Dhe anasjelltas: nuk ka konflikt nëse nuk ka veçim identitar.

Në Bosnje e Hercegovinë vështirë dallohej në të folur apo pamje fizike se kush është boshnjak-mysliman, serb apo kroat, por në momentin kur çdonjëri prej tyre duhej ta veçonte identitetin (edhe po të ishte i prindërve të nacionaliteteve të ndryshme) u përcaktua tashmë se vendi kishte hyrë në luftë.

Në Kosovë, të gjithë shqiptarët në vitet ’90 ishin të identifikuar si të përndjekur nga regjimi serb, por në momentin kur filloi përcaktimi i ri identitar (apo nënidentitar) – vrazhdësisht me pyetjen ‘a je me LDK-në a UÇK-në’ – u shënua edhe fërkimi politik, e madje edhe viktimat e një konflikti politik.

E, dimensionet e absurdit të rrëfimit identitar të taksistit në Irlandë të Veriut nuk mbeten vetëm në barsoletë. Në fushatën presidenciale amerikane, kampi i presidentit Trump ka vendosur të mbajë një tubim në Michigan, shtet ku fërkimi mes kandidatëve Trump dhe Biden ende nuk mund të tregojë me siguri favoritin për të fituar.

Në këtë shtet kampi Trump ka ftuar tubimin e “Koalicionit të Lindjes së Mesme për fitoren e Trumpit” dhe shprehimisht është kërkuar që të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve. Pasi, në shtator, me rastin e “marrëveshjes historike” në Washington, presidenti Trump e vendosi Kosovën në deklarimet e tij publike si një vend mysliman e i Lindjes së Mesme, këso here ekipi i presidentit e krijon një identitet të ri të Lindjes së Mesme, duke ftuar në tubimin parazgjedhor që së bashku me shqiptarët të jenë edhe këto komunitete: afrikanë-amerikanë, armenë, asirianë, kaldeanë, koptë, egjiptianë, jazidë, indianë, irakianë, jordanezë, kurdë, libanezë, maronitë, myslimanë, siriakë, sirianë, turq dhe në fund, si grup i veçantë, “gra të lindjes së mesme për Trumpin”.

“Vija e fërkimit mes Kosovës e Serbisë në sytë e fushatës së presidentit Trump nuk ka si të jetë më e çuditshme.

Në njërën anë janë shqiptarët, të bashkuar në një Lindje të Mesme të fantazisë së Disneyt me egjiptianët afrikanë dhe indianët aziatikë, e me një koleksion eklektik komunitetesh të xhamive, kishave e besimeve të veçanta.”

Në anën tjetër është Serbia, e cila në fushatën “Serbët për Trumpin” priti anëtarin e rëndësishëm të ekipit Trump në Kishën ortodokse serbe në Milwaukee. Kështu, pa ditur kush prej shtetasve të Kosovës a Serbisë, fërkimi identitar i tyre është bartur diku mes kanalit të Suezit në Egjipt dhe ishullit Sumatra të Indonezisë.

3.

Është e qartë se ky fërkim identitar është artificial; është pjellë e një narracioni.

Por, të gjitha identitetet janë të atilla. Në Bosnje e Hercegovinë të gjithë ndiheshin boshnjakë e hercegovas, para se të vinte në pah të parë spikatja e identiteteve etnike. Në Kosovë të gjithë ishin shqiptarë si të përndjekur nga Milosheviqi, deri në momentin kur u vu në spikamë një narracion i ri i identiteteve politike.

Dhe, çështja identitare shndërrohet në sfidë të përditshme. Siç u pa në dy muajt e politikës amerikane me presidentin Trump, me një lehtësi të jashtëzakonshme u bë tentimi që Kosova dhe shqiptarët të zhvendosen herë në “botën islamike” , herë në Lindjen e Mesme.

“Në një formë të çuditshme, një kurth i ngjashëm identitar – pra i vendosjes në “botën islamike” – i erdhi Kosovës nga vrasja e arsimtarit Samuel Pety në Paris, pasi kishte shpjeguar në orën e mësimit të drejtën e shprehjes së lirë, duke e ilustruar këtë me shprehjen e skajshme të karikaturave të profetit Muhamed në revistën satirike “Charlie Hebdo”.

Debati në Kosovë hyri me shpejtësinë me të cilën zakonisht depërtojnë temat identitare: ambasadori i Kosovës në Paris kishte ripostuar në Twitter artikullin e një gazete franceze ku figuronin karikaturat kontestuese dhe kjo zgjoi reagimin e Bashkësisë Islame.

Diskursi publik shumë shpejt kaloi në thjeshtësim: “A mund ta fyejë ambasadori i Kosovës vendin e tij me shumicë myslimane”? Ky diskurs lehtësisht mund të degjenerojë tutje, siç po bëhet, me përgjithësim, në të cilin karikaturat e Charlie Hebdo janë Franca dhe çfarëdo që të vijë nga Franca – karikaturat, djathi, pjesët e automjeteve – janë ofenduese për myslimanët, pra “shtetet islamike” apo “bota islamike” dhe do bojkotuar ato.

4.

Ja një narracion tjetër fare që ndoshta mund të ndihmojë:

Samuel Pety ligjëroi njërën prej të arriturave më të mëdha të njerëzimit: debatin rreth të drejtës së shtetit shekullar për shprehje të lirë, duke përfshirë edhe atë që grupet identitare (religjioze, politike, kulturore, etj.) e konsiderojnë ofendim.

Ndrydhja e shprehjes së lirë në historinë e njerëzimit gjithnjë është bërë në emër të një gjëje të shenjtë (Zoti, Mbreti, atdheu, kombi, ideja, ideologjia) dhe Samuel Pety donte të dëshmonte se një gjë e tillë nuk ekziston në Francën republikane, egalitare, vëllazërore dhe të lirë.

Karikaturat në fjalë të Charlie Hebdo konsiderohen fyese për njerëz (disa apo shumë të tillë) që besojnë në profetin Muhamed. Të atilla kanë qenë edhe karikaturat ku është paraqitur Jezu Krishti.

Të atilla mund të konsiderohen edhe karikaturat që paraqesin figura politike apo të konsideruara etnike (ushtarë serbë si këputës kokash shqiptare në Kosovë). Karikatura e Charlie Hebdo është, për nga natyra satirë deri në ofendim, si një provokim i rëndë. Por, përcaktimin se çka është e papranueshme si shprehje e lirë në shtetin shekullar e bëjnë institucionet e drejtësisë; jo verdikti moral, e aq më pak thika në fyt.

“Ambasadori i Kosovës nuk ka punë për t’i ripërcjellë publikisht shkrimet e gazetave franceze.

Shteti i Kosovës nuk do mend se duhet të solidarizohet e të përkrahë të drejtën e ligjërimit të Samuel Pety, edhe si solidaritet me Francën, edhe si solidaritet me një të drejtë elementare njerëzore, edhe si solidaritet me konceptin e shtetit shekullar.

Por, shteti i Kosovës, nëpërmjet ambasadorit të vet, nuk duhet të ribotojë këto karikatura, e as ndonjë karikaturë tjetër të ndonjë figure religjioze, politike, kulturore,- çfarëdo.”

Këtë punë mund ta bëjnë gazetat e portalet, nëse duan, por shteti i Kosovës nuk ka pse të bëhet pjesë aktive e një debati të brendshëm e polarizues, qoftë edhe të një shteti mik siç është Franca.

Bashkësia Islame ka pasur të drejtë të reagojë ndaj ripostimit të ambasadorit.

Prononcimet e ambasadorëve dhe zyrtarëve të tjerë të shtetit në rrjete sociale nuk janë private; i atillë, zyrtar, është edhe ripostimi i cili vetvetiu hap debat. Është legjitim debati mbi ndjeshmëritë në diskursin publik të Kosovës dhe Francës, e sa ekziston pranueshmëria e mjaftueshme kulturore që figurat religjioze (apo politike, kulturore, etj.) të portretizohen me thellësinë satirike që bëhet në Francë – kjo nuk është puna e ambasadorit, e as e shtetit të Kosovës.

“Shteti i Kosovës, me përfaqësuesit e vet, duhet ta mbrojë vendin prej këtyre debateve, jo pse Kosova është “vend mysliman” apo “vend islamik”, por përkundrazi, sepse nuk është i tillë, sepse është shtet shekullar në të cilin e drejta e besimit fetar është krejtësisht e lirë dhe individuale.”

5.

Kjo tingëllon më ndryshe sesa “Charlie Hebdo ofendoi myslimanët, pra edhe Kosovën”? Po. Dhe është të kuptuarit se si Kosovë nuk jemi në pozitën e taksistit, nuk ka postbllok dhe nuk ka ushtarë që pyesin për besimet tona identitare.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme