INTERVISTË| Fatmir Bytyqi: Këto janë planet e mia si zv/kryeministër për koordinimin e resorëve ekonomik

Intervistë me Fatmir Bytyqin, Zëvendëskryeministër i angazhuar për çështjet ekonomike, koordinimin e resorëve ekonomik dhe investimet

Fatmir Bytyqi në Qeverinë e re është emëruar në pozicionin e Zëvendëskryeministrit i angazhuar  për koordinimin e  resorëve ekonomik dhe investimeve, departament që përshtatet shkëlqyeshëm me profilin e tij si ekspert me përvojë të madhe, që vjen nga sektori privat dhe i cili  për 20 vjet është përfshirë në menaxhim në niveleve të ndryshme të proceseve ekonomike dhe reformave, duke zbatuar mbi 100 programe dhe projekte të ndryshme për zhvillimin e sektorëve, institucioneve shtetërore, odave ekonomike dhe kompanive.

Bytyqi është i specializuar për planifikimin strategjik dhe konsiderohet si njohës i shkëlqyer i mundësive të biznesit në pothuajse të gjitha vendet e rajonit, me përvojë shumë vjeçare në sektorin real si sipërmarrës, konsulent dhe menaxher ekzekutiv.

Arsyeja e kësaj interviste të Almakos me të është platforma #PërAtdheunMeDashuri të cilën Zëvendëskryeministri e shpalli një javë më parë dhe e cila sipas tij duhet të luaj rol të rëndësishëm në planifikimin strategjik afatgjatë të sistemit të përgjithshëm ekonomik në Maqedoninë e Veriut, por natyrisht ne do të  diskutojmë edhe për tema të tjera aktualet.

  • ALMAKOS: Z. Bytyqi, publicitet të madh pozitiv gëzon ideja që së fundmi e paralajmëruat #PërAtëdheunMeDashuri. Sipas jush cili mendoni se duhet të jetë roli i këtij të ashtuquajturi “think tank” shtetëror i përbërë nga ekspertët ekonomikë?

Bytyqi: Dokumentet kryesore strategjike që kanë të bëjnë me sistemin ekonomik dhe reformat që duhet të miratohen në mënyrë që të hapin rrugën për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Maqedonisë së Veriut, duhet të miratohen përmes përfshirjes së të gjithë faktorëve relevantë dhe ato duhet të monitorohen dhe respektohen pavarësisht nga cilat parti politike në një moment të caktuar kanë nderin të formojnë Qeverinë dhe të krijojnë politikën shtetërore.

Zhvillimi i përgjithshëm shoqëror duhet të planifikohet në plan afatgjatë dhe të parashikojë hapa që do të jenë të guximshëm dhe për të cilët do të ketë konsensus kombëtar. Për ta realizuar këtë duhet të krijojmë një organ, një platformë #PërAtdheunMeDashuri ose siç thoni ju “think tank shtetëror”, i cili në një vend do të gërshetojë përvojën dhe njohuritë e të gjithë ekspertëve ekonomikë përkatës nga shumë fusha të ndryshme: makroekonomia, financat publike, taksat, investimet, doganat, sipërmarrjen, kapitalin njerëzor, planifikimin strategjik, etj.

  • ALMAKOS: Kush do të marrë ftesën për tu bashkangjitur?

Bytyqi: Ftesë për tu bashkangjitur në #PërAtdheunMeDashuri do të marrin ekspertët më të shquar ekonomikë nga të gjitha partitë politike, por edhe ata që nuk janë anëtarë të ndonjë opsioni politik. Dera do të jetë e hapur për ekspertët e huaj ekonomikë, përfaqësuesit e komunitetit akademik, institucionet, të gjithë ekspertët e tjerë të shquar të ekonomisë që sinqerisht duan të kontribuojnë në krijimin e një platforme të re gjithëpërfshirëse që ka një mision të vetëm – zhvillimin e përgjithshëm shoqëror dhe përmirësimin e standardeve të jetesës të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Shkurtimisht, ideja është që të mbledhim mendjet më të mira ekonomike që mendojnë mirë për shtetin dhe të organizohen me funksion #PërAtdheunMeDashuri.

  • Si e shihni debatin që u zhvillua në lidhje me propozimin për të subvencionuar punësime në ndërmarrjet private mbi baza etnike?

Bytyqi: Qëndrimi im është se kompetencat janë faktori kryesor me të cilin kompanitë punësojnë dhe çdo kompani do të donte të punësonte punëtor kompetent. Një programues ose inxhinier elektrik i mirë nuk pyetet nëse është maqedonas, shqiptar, serb, rom, etj. por nëse ai di të programojë apo jo. Tendenca e Qeverisë dhe qëndrimi im personal është që ne duhet të ndërtojmë një shoqëri me mundësi të barabarta për të gjithë dhe kur bëhet alokimi i  fondeve nga buxheti nuk duhet të vendoset në bazë të përkatësisë etnike, por aty ku është më e nevojshme.

Vallë kur sigurojmë fonde për trajtimin e një pacienti, a duhet ta pyesim cilës përkatësi etnike i takon? Absolutisht ЈО! Ne inkurajojmë të gjitha kompanitë private të promovojnë gjithëpërfshirjen dhe përfaqësimin e të gjitha grupeve të ndryshme në ekipet e tyre ( sipas etnisë, gjinisë, moshës, etj.), sepse kjo para se gjithash është e dobishme për kulturën e kompanisë dhe mund të sjellë  vetëm përfitime për të, ashtu siç dëshmohet nga shumë shembuj të botës së biznesit, por në fund të fundit janë ata që marrin vendimet e tyre të biznesit dhe shteti nuk do të dhe nuk guxon të ndërhyjë në mënyrën se si ata do ta udhëheqin biznesin e tyre.

  • ALMAKOS: Kriza e koronës ndikoi fuqishëm në aktivitetin ekonomik në të gjithë botën, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Shumë nga kufizimet u minimizuan gjatë muajve të verës, por tani me fundin e vjeshtës dhe fillimin e dimrit pritet një valë e re e pacientëve, e cila sërish aktualizon çështjen e kufizimeve të reja në lidhje me funksionimin normal të biznesit. Si i shihni të gjitha këto që na ndodhin në 8 muajt e fundit?

Edhe ne të sektorit të ekonomisë, si dhe kolegët tanë nga sektori i shëndetësisë, situatën po e ndjekim me shumë vigjilencë që nga fillimi, duke u përpjekur të arsyetojmë  racionalisht për të gjitha hapat e ardhshëm. Shëndeti i qytetarëve sigurisht është në radhë të parë, sepse pa qytetarë të shëndetshëm, nuk mund të presim ndonjë aktivitet ekonomik. Nga ana tjetër, është për tu përshëndetur sjellja e përgjegjshme e shumicës së kompanive që arritën në një periudhë të shkurtër të krijojnë procese funksionale të biznesit në të cilat minimizojnë rrezikun e ekspozimit të punonjësve, dhe në të njëjtën kohë të vazhdojnë të kryejnë me sukses aktivitetet e tyre. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse pa një ekonomi funksionale, pasojat për qytetarët mund të jenë të padëshiruara.

Si kurrë më parë, kemi intensifikuar komunikimin me sektorin e biznesit dhe sindikatat dhe përpiqemi maksimalisht të përfshijmë të gjitha propozimet e tyre në politikat e mbështetjes së shtetit dhe besoj se vetëm me mund të përbashkët do të jemi në gjendje ta tejkalojmë këtë periudhë me rezultatet më të mira të mundshme.

Fatkeqësisht, për një kohë nuk do të jemi në gjendje të krahasojmë të gjithë funksionimin me atë që ishte para fillimit të Pandemisë, por këtë kohë, të cilën ne e njohim si “normalja e re” na tregoi se të gjithë së bashku duhet të “drejtohemi” kah modelet të reja të funksionimit ku fokusi duhet të jetë organizimi i mirë dhe besimi i ndërsjellë në mënyrë që me sukses të përballemi me sfidën e imponuar, gjatë kohës së Pandemisë, por edhe pas saj.

  • ALMAKOS: Kryeministri Zaev njoftoi se është planifikuar një model i privatizimit të “Postave të Maqedonisë”, institucion që shumë vite me radhë konsiderohej si një vend për strehim të vazhdueshëm të stafeve nga të dëgjueshmit partiak, por edhe institucion që prodhon humbje nga viti në vit që duhet të mëkëmbet me “injeksione” nga buxheti. Si është plani rreth kësaj?

Bytyqi: Pajtohem që ky institucion nuk arriti të bënte një riorganizim dhe optimizëm që do ta nxirrte  nga “gropa” e humbjeve të prodhimit dhe me konstatimin Tuaj se atje në përgjithësi ka staf të tepërt. Mirëpo, gjithashtu duhet të theksoj se atje ka edhe punënjës jashtëzakonisht profesional dhe cilësor, që në të ardhmen duhet të jenë kryesues të ndryshimeve që pasojnë për këtë institucion. Në një nga mbledhjet e fundit të Qeverisë, unë, së bashku me ministrin e ekonomisë dhe drejtorin e Postave Kombëtare, u obliguam të fillojmë me përgatitjen e një studimi fizibiliteti për mundësitë e fillimit të një procedure për marrjen në kontroll të kompanisë me partneritet publiko-privat ose privatizimit për të vazhduar procesin e liberalizimit të shërbimeve postare në vend, me harmonizim të rregullores së  BE-së. Me këtë proces ne presim që vendi ynë të ketë një qendër moderne rajonale për shërbimet postare me të cilën të gjithë qytetarët tanë mund të jenë krenarë./ALMAKOS

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme