Investitori nga Turqia, që planifikonte ndërtimin e një fabrike për prodhimin e bllokave, tullave dhe tjegullave në fshatin Fortesë (Bellacërkë) ka paditur Komunën e Rahovecit, duke pretenduar kompensimin e dëmit në vlerë prej 376 mijë eurosh si edhe fitimin e humbur, që do të përcaktohej nga ekspertiza financiare.
Ndonëse ka kaluar më shumë se një vit nga dorëzimi i padisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës – Departamenti i çështjeve ekonomike, çështja sipas palëve kontestimore ende nuk është zgjidhur.
Përfaqësues të kompanisë “LI-KOS” kanë bërë të ditur se Komuna e Rahovecit, me gjithë premtimet e dhëna paraprakisht, nuk ka ofruar mbështetje të duhur për realizimin e projektit dhe se për këtë arsye kërkon kompensimin e dëmit përmes organeve të drejtësisë.