Isa Mustafa i paralajmëron ata që po bëjnë probleme në kuvendet e LDK-së

Zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk janë duke shkuar mirë. Në disa degë, e nëndegë të partisë më të madhe opozitare po përdoret edhe dhuna fizike.

Madje në disa raste siç është ai në degën e kësaj partie në Vranjevc u deshtë edhe ndërhyrja e forcave të rendit.

E ditë më parë incidente pati edhe në dy degë të LDK-së, në Mitrovicë dhe Ferizaj.Por, për të gjithë ata që po i krijojnë këto incidente, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka një porosi.

Mustafa për EkonomiaOnline thotë se të tillët do të ndëshkohen dhe se nuk do të kenë mundësi asnjëherë të jenë në strukturat e partisë.

Thotë se në kuvendet zgjedhore të partisë që ai drejton kanë “gisht” edhe persona që nuk i takojnë LDK-së.

“Nuk e di pse po ndodhin por neve kemi marrë vendim në kryesi se të gjithë atyre personave që bëjnë këso veprime të tillëve që nuk janë demokratike, civilizuese dhe në frymën korrekte nuk do t’i japim shansin që ata të vijnë në struktura të LDK-së. Ua kemi bërë me dije edhe këtyre në Mitrovicë edhe atyre në Ferizaj. Po na hyjnë në tubime tona edhe anëtarë tjerë të cilët nuk janë të LDK-së. Nuk kanë shans këta që bëjnë kësi veprimesh të vijnë në struktura të LDK-së”, thotë Mustafa.

I pyetur nëse do të rikandidon për të parin e LDK-së, Mustafa sqaron se qëndrimin e tij do ta bëjë zyrtar vetëm atëherë kur mbyllet procesi zgjedhor.

Këtë thotë ta kenë bërë me të vetmin qëllim që të mos ndikojnë në procesin zgjedhor.

“Jemi marrë vesh në kryesi dhe në forume tona që ambiciet për kryetar të LDK-së të shprehen momentin kur do të thirret kuvendi zgjedhor i LDK-së dhe e kemi lënë deri atëherë në mënyrë që mos ta ndikojmë opinionin. Edhe këto ngjarje që po ndodhin, si në Mitrovicë dhe Ferizaj e që janë të pakëndshme dhe njerëzit të mos shkojnë atje paraprakisht me ndonjë dëshirë që t’ia bëjmë numrat apo delegatët individit që pretendon të bëhet kryetar. Pra t’i lëmë të gjitha ambiciet deri të kryhen zgjedhjet. Do ta jap qëndrimin tim në momentin kur të mbyllet procesi zgjedhor”.

Kujtojmë se përveç degës së Mitrovicës dhe Ferizajt ku pati incidente dhe konfrontim fizik mes delegatëve, probleme të tilla po shfaqen edhe nëpër degët e kësaj partie në kryeqytet.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme