Isa Mustafa, nuk do zgjedhje

Kryeministri Isa Mustafa këmbëngul se mandati duhet të çohet deri në fund dhe se zgjedhjet duhet të mbahen tek pas një viti.

Fushata tashmë e nisur nga partneri i tij i koalicionit, PDK-ja, dhe sondazhet e publikuara të cilat e nxjerrin në rënie LDK-në kanë bërë që kreu i saj të reagojë me ton të ashpër.

Të dielën Mustafa në rrjetin e tij social “Facebook” ka thumbuar partnerin e koalicionit, duke thënë se nuk duhet të iket nga përgjegjësia e premtimeve dhe se zgjedhjet duhet të mbahen kur të vijë koha.

Ndërkohë njohësit e çështjeve politike thonë se fati si klasë politike varet edhe sa do të jetë opozita e bashkuar.

Sipas tyre, po që se opozita tregohet e përçarë, ekziston mundësia që koalicioni aktual të ripërsëritet edhe pas zgjedhjeve. Por pavarësisht këtyre, përfaqësues të partive në pushtet shprehen të bindur se do të dalin si subjekte të para, pa marrë parasysh se kur do të mbahen zgjedhjet.

Madje kryeministri Mustafa është zotuar edhe një herë se do ta çojë deri në fund mandatin e tij. Nga ana tjetër edhe përfaqësuesit e partive opozitare tashmë kanë deklaruar se po punojnë për të triumfuar pas zgjedhjeve, në mënyrë që të qeverisin me vendin.

Mustafa: Mandatin do ta çojmë deri në fund

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka ripërsëritur edhe njëherë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Ai ka thënë se koalicioni qeverisës është zotuar që ta çojë mandatin deri në fund dhe nuk i frikësohen asnjëlloj sfide. “Rrugëdalja nuk është të ikim nga përgjegjësia, të bëhemi rob i sondazheve, sepse kur i kemi hyrë kësaj pune jemi marrë vesh ta çojmë deri në fund, ndërsa sondazhet i bëjmë kur t’i përmbyllim punët dhe kur u vjen koha e zgjedhjeve të rregullta”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Me këtë rast ai ka porositur edhe deputetët e Kuvendit që të mos dorëzohen para kauzave të rreme sipas tij, sikur ajo e Demarkacionit. “E di që është më vështirë të punohet dhe të përmbushen zotimet para qytetarëve sesa të mbahen zgjedhje, por si kryeministër nuk u trembem sfidave dhe përmbushjes së zotimeve, siç jemi pajtuar me këtë koalicion qeverisës. Ashtu sikur shpresoj se as Kuvendi dhe deputetët e Kuvendit nuk do të dorëzohen para kauzave të rrejshme për Demarkacionin, sepse e vërteta gjithherë del në shesh”, ka thënë ai.

Tahiri: PDK-ja duket se do ta humbasë pozitën e kryeparlamentarit

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, ka vlerësuar se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Nuk duket se do të ketë zgjedhje të parakohshme, së paku jo përpara se të shkohet në pushimet e verës. Nuk shihet shkas që kryeministri të japë dorëheqje dhe ta çojë vendin në zgjedhje parlamentare, e as nuk po duket që nisma për votëbesimin e Qeverisë do të ketë përkrahje, gjithashtu asnjëri nga partnerët, pra LDK-ja ose PDK-ja të dalin nga koalicioni qeverisës”, ka deklaruar ai.

Sipas Tahirit, po që se partitë e vogla si është AKR-ja e “Alternativa” e kalojnë pragun, atëherë asnjë parti nuk do të mundet t’i marrë 30 deputetë. E me këtë, sipas tij, është e sigurt se ose PDK-ja, ose LDK-ja do të shkojë në opozitë.

“E sigurt se pas këtyre zgjedhjeve ose PDK-ja ose LDK-ja do të shkojë në opozitë. Kjo varet shumë prej ‘Vetëvendosjes’ se me kë shkon ajo. Pra, duket se në mandatin e ardhshëm PDK-ja do të mbetet në opozitë dhe do ta humbasë me gjasë edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit nëse nuk del partia e parë për shkak të atmosferës së krijuar”, është shprehur Tahiri.

Sallova: Zgjedhjet duhet ta dërgojnë në opozitë koalicionin qeverisës

Ndërkaq politologu Donik Sallova ka vlerësuar se zgjedhjet e përgjithshme nacionale duhet ta dërgojnë në opozitë koalicionin e tanishëm qeverisës në momentin që mbahen.

“Zgjedhjet e ardhshme nëse do të mbahen eventualisht para kohe do të duhej të prodhonin një rotacion pushteti. Pra LDK-ja dhe PDK-ja duhet të shkojnë në opozitë. Janë dy partitë që kanë qeverisur më së shumti në periudhën e pasluftës dhe faktikisht janë përgjegjëse për atë çfarë është bërë keq me të madhe në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Por, sipas tij, ky rotacion do të ndodhë vetëm nëse partitë opozitare bashkohen mes vete.

“PDK-ja tashmë ka një dekadë në pushtet dhe dihet mirëfilli që e ka kapur çdo segment të shtetit. LDK-ja pak a shumë i ka shërbyer pushtetit të PDK-së me përfitimet që ua ka hedhur partneri i koalicionit klanit udhëheqës të LDK-së. Por ky rotacion i domosdoshëm do të ndodhë vetëm nëse bashkohen partitë opozitare në një “Koalicion të madh për ndryshim” ku do të përfshihej VV-ja, AAK-ja, ‘Nisma’ dhe eventualisht AKR-ja”, ka vlerësuar Sallova.

Përndryshe, sipas tij, pavarësisht përplasjeve në dukje ndërmjet PDK-së e LDK-së, këto dy parti prapë mund ta formojnë qeverinë e re bashkërisht, duke bërë shkëmbimin e postit të kryeministrit me atë të kryeparlamentarit.

Kurse analisti politik Krenar Shala ka vlerësuar se nuk është e sigurt nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Mendoj që nuk është e sigurt që vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në kohën kur ende nuk është zgjidhur çështja e demarkacionit, e liberalizimit të vizave, Asociacionit, themelimit të ushtrisë si dhe fillimi i procesit të lëshimit të aktakuzave nga Gjykata e Veçantë”, ka deklaruar Shala.

Gecaj: LDK-ja do të dalë partia e parë, nuk kontestohet

Por për dallim prej tyre, Bajram Gecaj nga LDK-ja është shprehur i bindur se Lidhja Demokratike e Kosovës do të dalë partia e parë pas zgjedhjeve.

“Është e pakontestueshme se në zgjedhjet e ardhshme LDK-ja do të dalë partia e parë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se ky subjekt aktualisht është duke punuar që të dalë partia e parë.

“Ne jemi duke punuar që me koalicionin që kemi dhe eventualisht me partitë e vogla të dalim partia e parë. Koalicionin do ta formojë Aleanca”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, opsionin për ta formuar një koalicion me PDK-në pas zgjedhjeve Kadriaj e ka quajtur spekulative.

“Gjithmonë para zgjedhjeve ka spekulime. Partitë kanë abuzuar, gjë që nuk është e vërtetë. Koalicionet do t’i caktojë vota e popullit”, ka shtuar ajo.

 

Hoti: Boshti opozitar do t’i fitojë zgjedhjet

Kurse deputeti i “Nismës për Kosovën”, Enver Hoti, ka vlerësuar se koalicioni AAK-“Nisma” do t’i fitojë zgjedhjet.

“Boshti opozitar ‘Nismë’- AAK do t’i fitojë zgjedhjet kurdo që mbahen. Ne po punojmë shumë që mocioni i iniciuar nga ‘Nisma’ si mundësi për rrëzimin e kësaj qeverie të dështuar të realizohet sa më shpejt. Ne si fitues do të qeverisim me opozitën aktuale”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, ka konsideruar se partnerët e tanishëm të koalicionit qeverisës do të ngelin në opozitë pas zgjedhjeve.

“PDK-ja dhe LDK-ja pas humbjes në këto zgjedhje gjatë do të qëndrojnë në opozitë, ajo çka kërkojmë është që të jenë opozitë konstruktive dhe në mbrojtje të interesave të vendit dhe të qytetarëve”, është shprehur tutje Hoti. /Zeri/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme