Ish-anëtari i SHIK-ut tregon se kush do të sakrifikohet për ‘peshqit e mëdhenj’ në Gjykatën Speciale/ Ja emrat?

Është paralajmëruar se Gjykata Speciale, e themeluar për të hetuar krimet e supozurara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të nis së shpejti ngritjen e aktakuzave të para.

Që nga viti 2015 kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për themelimin e saj, janë lakuar emra të ndryshëm si të akuzuar të mundshëm të kësaj gjykate.

Lidhur me këtë, gazetari Milaim Zeka kohë më parë kishte publikuar madje edhe një listë të gjerë me emra, të cilët sipas tij, do t’i gjykojë Specialja. Në këtë listë, Zeka ka përmendur edhe figura politike të larta, duke përfshirë edhe presidentin e vendit Hashim Thaçin e liderin e PDK-së Kadri Veselin.

Veç këtyre, sipas tij, në listë janë të përfshirë edhe Agim Çeku, Azem Syla, Xhavit Haliti, Shaip Muja, Fatmir Limaj, Daut Haradinaj e Rexhep Selimi.

Në një prononcim për gazetën ish-anëtari i SHIK-ut Naim Miftari, ka theksuar se Gjykata Speciale është selektive, ku nuk gjykohen dhe amnistohen kriminelët kryesorë serbë, që vranë mbi 14.000 civilë shqiptarë, dogjën gjysmën e Kosovës, dhunuan dhjetëra mijëra femra, ndjeken mbi 1 milion shqiptarë, zhduken kufoma e bën gjenocid mbi popullin shqiptar.

Ai ka thënë se formimi i saj, ishte rezultat i mospunës dhe mos funksionalizimit të ligjit në Kosovë, pasi sipas tij, drejtësia vendore nuk pati forcë e as vullnet të merrej me disa krime të mundshme të luftës dhe supozimin e Dick Martit mbi dyshimet për tregti të organeve të njeriut gjatë luftës.

“Personalisht, nuk e besoj se kjo Gjykatë, do të sjellë drejtësi e as rend në Kosovë dhe fati i saj do të jetë i ngjashëm me gjykatat e UNMIK-ut e EULEX-it. E them me përgjegjësi të plotë se UÇK nuk ka kryer krime të luftës”, është shprehur Miftari.

“Duke e ditur se kjo Gjykatë është selektive dhe ka ardhur me marrëveshje të fshehtë politike, jam shumë i sigurt që nuk do të preken ‘peshqit e mëdhenj’, por do të preken shefat e Shtabit të Përgjithshëm si përshembull Azem Syla. Sipas mendimit tim, ai do të jetë kokë turku që të mos preken kokat tjera”, ka pohuar tutje ish-anëtari i SHIK-ut.

Ai ka dhënë edhe pistat, ku mund të hetojë Gjykata Speciale.

“Kleçka, Rahoveci, Radoniqi, do të jenë pistat e Gjykatës, ku kjo gjykatë do të tentojë të vërtetojë se kanë ndodhë krime lufte. Sa i përket supozimeve se Gjykata do t’i zbardhë krimet e ashtuquajtura politike, unë nuk e besoj këtë edhe pse dikush do të duhej të vërë pikë mbi këto vrasje të cilësuara politike, por duke ditur se si ka ardhë kjo gjykatë, nuk mbajë shpresë për rezultate pozitive”, ka theksuar Miftari.

Ai poashtu ka treguar edhe emrat e personave, të cilët sipas tij do të arrestohen nga Specialja.

“Personat që do të arrestohen do të jenë Dobruna, Geci, Buja, Shala, Krasniqi, Hasani dhe dhjetëra persona të tjerë, por nuk kam të drejtë t’ua përmend emrin për arsye ligjore dhe ngjarjeve që do të ndodhin më vonë”, ka përfunduar Naim Miftari për “Bota sot”.

Por, ndryshe është shprehur eksperti i sigurisë, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku.

Ai për “Bota sot”, ka thënë se nuk i shkon për shtati për hyjë në supozime se kur do të fillojë Gjykata Speciale me ngritjen e aktakuzave të para dhe cilët persona do të akuzohen.

Sipas tij, manipulimi me emra të ndryshëm të politikanëve, është vetëm sa për të thënë diçka.

“Mendoj se manipulimi me emra të politikanëve të ndryshëm, se kinse dikush e di që do të jenë objekt trajtimi nga kjo Gjykatë, është vetëm manipulim me opinionin si dhe për të thënë diçka. Personalisht, jam shumë i bindur se askush në Kosovë, nuk e din se kush do të akuzohet dhe kur”, ka deklaruar Naim Maloku.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme