Stuart Seldowitz, ish-këshilltar për siguri nacionale i ish-presidentit amerikan Barack Obama, është filmuar duke keqtrajtuar një shitës të ushqimi “hallall” në Manhattan, duke e quajtur “terrorist”.
Videoja tjera janë shpërndarë në X, ku shihet Seldowitz duke fotografuar shitësin të cilit i bën komente islamofobe, transmeton Telegrafi.
Ndryshe këto video janë shpërndarë në internet në momentin kur janë rritur tensionet mes mbështetësve propalestinezë dhe ata proizraelitë që po organizojnë tubime në mbarë Shtetet e Bashkuara.
E këto tensione janë prezentë në New York, ku pothuajse çdo ditë po organizohen demonstrata, e janë regjistruar edhe raste të urrejtjes anti-islam dhe antisemitist.
Në video shihet Seldowitz duke u kthyer disa herë në të njëjtin lokacion, dhe çdo herë që i kërkohej të largohej, refuzonte.
“Është vend i lirë – nuk është Egjipt”, tha në një moment ish-këshilltari i Obamës.
Të njëjtën kohë shitësin e ka quajtur të “padijshëm” sepse nuk flet gjuhën angleze, para se të vazhdonte me komentet tjera fyese ndaj profetit Muhamed.
Seldowitz në një bisedë telefonike me NY Times ka thënë se nuk i ka parë videot dhe se gjithçka ka filluar pasi kishte pyetur shitësin nëse është egjiptian.
Pretendon se shitësi gjatë bisedës ka shprehur haptazi mbështetjen për Hamasin edhe pse një gjë e tillë nuk shihet e as dëgjohet në videot e publikuara.
“Në ato moment i jam vërsulur me komente për të cilat pendohem që i kam bërë. Në vend se t’i drejtohesha si individ fillova ta fyej fenë e tij”, tha ai.
Ndërkaq kur është pyetur se pse ishte kthyer në lokacionin e njëjtë, ai tha se deshi të sigurohet nëse shitësi “është akoma mbështetës i Hamasit”.
“Kam punuar me arabë… njoh shumë njerëz që janë myslimanë dhe arabë dhe kështu, që e më njohin mirë dhe e dinë se nuk kam kurrfarë paragjykimi për ta”, shtoi ai. /Telegrafi/