Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë do të mbrohet nga pesë avokatë.
Përmes një dokumenti të bërë publik në faqen zyrtare të Specialet vihet re se autoritetet kanë bërë aprovimin e avokatëve shtesë për Thaçin.
Thaçi do të mbrohet nga Sophie Menegon, David Hopper, Dastid Pallaska, Samuel Blom-Cooper dhe Pierre-Richard Prosper.
Për avokatët e Thaçit ka reaguar ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.
Ai pyet se nëse lufta ka qenë e pastër për liri, atëherë pse duhet me i marr pesë avokat dhe me i pagua nga buxheti i Kosovës.
“Milionat e pa’ fajësisë
Ai trimi që herë ka luftua e ka marr pjesë në aksione e herë u kanë shumë larg fronteve të luftës, sot mbrohet me pesë avokat.
A din kush me ma shpjegua pse nëse lufta e tij dhe e jona ka qenë luftë e pastër dhe luftë për lirin e vendit, as avokat mbrojtës nuk kisha angazhuar edhe me pas gratis e jo më me i zënë pesë avokat që duhet me i pagua me disa miliona euro të Kosovës?”, shkruan Miftari në Facebook, përcjell gazeta “Bota sot”.
Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020.
Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.
Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare.