Gazetar: Mefail Ismaili
Tre anëtarë të familjes Ajvazi nga Haraçina, sipas MPB-së do të përballen me padi penale për dhunë, pas sulmit të djeshëm ndaj kryetarit të Komunës, Ridvan Ibraimi, shkruan Alsat.
Nga MPB njoftojnë se pas denoncimit nga kryetari i Komunës, njësitet e policisë kanë arrestuar tre personat me iniciale R.A, B.A dhe R.A, të cilët janë familjarë të kryetarit të degës së BDI-së dhe ish-kryetarit të komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
Kryetari Ridvan Ibraimi ka bërë të ditur se sulmi ndaj tij ishte kryer nga tre persona sapo kishte nisur me punë dhe se motivet kishin të bënim me mosplotësimit e kërkesave të tyre personale dhe biznesore. Pavarësisht presioneve, Ibrahimi thotë se nuk do të ketë asnjë kompromis me persona të tillë që tentojnë të përfitojnë në kurriz të banorëve.
“Fillimisht kërkojnë që emërimet e drejtorëve të shkollave fillore të bëhen sipas kërkesave të tyre, duke mos plotësuar asnjë kriter ligjor, por përmes së cilëve do të munden që më me lehtësi ti realizojnë qëllimet si dhe të jenë në shërbimin e tyre… Pa marrë parasysh se çfarë natyre mund të jenë sulmet, qofshin ata verbale, fizike, mediatike apo virtuale, kthim nga kjo rrugë e shenjtë që e kemi nisur nuk ka. Këtë është mirë që ta fusin në kokat e tyre të gjitha ata që dëshirojnë të përfitojnë kurriz të popullit”, tha Ridvan Ibraimi, kryetar i Komunës së Haraçinës.
Por pretendimet për sulm fizik i ka mohuar kryetari i degës së BDI-së, Brahim Ajvazi ndërsa problemi sipas Ajvazit qëndron në siç thotë në jaranin me LSDM, huliganë e narkomanë që po prishin rendin dhe qetësin në Haraçinë.
“Ne si degë dhe anëtarësia më e gjerë kemi kërkuar që drejtori i shkollës i cili është emëruar në vitin 2018 në shkollën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Haraçinë të zëvendësohet me kuadrin e BDI-së. Më tepër nuk është kërkuar dhe nuk është i vërtet lajmi i rrejshëm që po qarkullon nga ana e kryetarit të komunës R.I. kinse është sulmuar nga familja Ajvazi”, u shpreh Brahim Ajvazi, kryetar i degës së BDI-së Haraçinë.
Ridvan Ibrahimi në postin e kryetarit të komunës është zgjedhur në vitin 2021 pasi fitores ndaj ish kryetares nga radhët e LSDM-së, Milikije Alimi. Para Alimit, kryetar i komunës ishte Brahim Ajvazi./ Alsat.mk