Ish-ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu, ka reaguar në lidhje me skandalin dhe sjelljen anti-ligjore të ASK-së, shkruan Alsat. Ai ka thënë se do ta informojë opinionin publik dhe i ka kërkuar Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që ta marrë rastin e tij si person i dëmtuar dhe të sqarohen në mënyrë transparente keqpërdorimet me fatet njerëzore. Letra e plotë publike:
Pas konstatimit të shkeljeve nga Agjencia për Siguri Kombëtare, e shfrytëzoj këtë rast që ta informoj opini0-onin publik dhe t’i kërkoj Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që ta marrë rastin tim si person i dëmtuar dhe të sqarohen në mënyrë transparente keqpërdorimet me fatet njerëzore, ndërsa kriminelët më në fund të përgjigjen para ligjit. Roli i “zotave të vegjël” u përshtatet mirë disa krijesave, deri aty sa që ata vendosin kush mund të ketë karrierë, kush të bëhet biznesmen, kush politikan, e kush jo. Si ministër i Qeverisë në periudhën 2017–2019, isha ndër ata që i mbështetën të gjitha hapat për anëtarësimin e RMV-së në NATO, reformat dhe transformimin e DSK-së në ANB, formimin e OTA-s – Agjencisë Operativo-Teknike, me qëllim që më në fund të pushojnë keqpërdorimet që shumë qytetarëve, e edhe personalisht mua, më kishin shkaktuar dëm dhe të keq të madh.
Por edhe pas të gjitha këtyre ndryshimeve, duket se “zotat e vegjël” vazhduan me të njëjtat praktika të sundimit, që janë më të rrezikshme edhe se krimi klasik. Qëndroj në qëndrimin se persona të tillë duhet të marrin dënimin më të ashpër – madje të gjykohen për kërcënim terrorist të rendit kushtetues të shtetit – sepse keqpërdorimi i institucioneve më të ndjeshme të sigurisë është sulm kundër popullit të vet. Pas përfundimit të funksionit tim si ministër, më ishte ofruar të punoja në Departamentin e Informatikës në MPB. Edhe pse në atë moment posedova certifikatë sigurie aktive me shkallën më të lartë – “sekret shtetëror” – dhe tashmë i kisha kaluar kontrollet më rigoroze, ANB problematizoi procedurën me një arsye absurde: se duhej bërë kontroll shtesë me shkallë më të ulët nga ai që tashmë e kisha kaluar.
Shkelja flagrante e ligjit kulmoi me faktin që ish-drejtori Viktor Dimovski, e më pas edhe Zarko Miloshoski, e mbanin lëndën në sirtar deri sa të skadojë afati i certifikatës sime, që më pas t’i përgjigjen negativisht MPB-së. Sipas informacioneve të mia, duke i keqpërdorur masat për ndjekje përmes “bashkëpunëtorëve” të inkriminuar, që e komprometojnë vetë Agjencinë për Siguri Kombëtare. Nga e gjithë biografia ime e pastër personale dhe familjare, e vetmja gjë që u pengonte ishte keqpërdorimi i thellë i shërbimit kundër familjes sime qysh nga vitet e hershme të pluralizmit, që është histori më vete. Kërkoj publikisht nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që pa vonesë të vazhdojë hetimin kundër ish-drejtorëve dhe strukturave në ANB. Jam i gatshëm të dëshmoj me fakte dhe argumente konkrete për të gjitha keqpërdorimet me të cilat më kanë shkaktuar dëm të madh, moral dhe material të pariparueshëm.
Nëse faktet dhe argumentet do të pranoheshin si në ndonjë shtet normal juridik, opinioni publik do të tronditej nga fakti kush gjithçka vendos për fatin e shumë familjeve të shkatërruara në heshtje. Qytetarët njihen me keqpërdorimet vetëm në rast se shërbimi ngec tek personalitete që kanë forcë dhe mekanizma ta nxjerrin në shesh keqpërdorimin që u është bërë atyre. Përndryshe, kjo është shndërruar në një sistem që shkatërron në heshtje.



