Ish sekretari amerikan i mbrojtjes: Ja pse i dua shqiptarët!

Si ish Sekretar i Mbrojtjes Amerikane, si i shikoni sot raportet e SHBA me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes?

Kur isha Sekretar i Mbrojtjes, para shumë vitesh, Shqipëria sapo kishte evoluar nga pjesë e Paktit të Varshavës, në një shtet me çështjet e veta të pavarura të sigurisë. Në atë periudhë, shpenzova një kohë të konsiderueshme duke punuar me Presidentin e Shqipërisë si dhe Ministrin e Mbrojtjes, në mënyrë që të ndihmonim Shqipërinë të arrinte një mbrojtje kombëtare të pavarur, partnershipin me NATO-n dhe atë çka quhej Partnershipi për Paqe.

Shqipëria mori pjesë në disa ushtrime paqeruajtëse me forcat e NATO-s. NATO ndihmoi në profesionalizimin e ushtrisë sipas standardeve të shteteve demokratike. Shqipëria dërgoi individë, oficerë të rinj, në shkollat tona për trajnim në SHBA. Në atë kohë Shqipëria ishte duke avancuar në mënyrë të pëlqyeshme drejt krijimit të një ushtrie të përshtatshme për një shtet demokratik. Gjatë këtij proçesi, pata rast të vizitoja Shqipërinë tre herë, gjë që është e pazakontë për një Sekretar Amerikan të Mbrojtjes.

A shikoni tek Shqipëria një partner të sigurtë dhe aleat të mirë përsa i përket strategjisë ushtarake?

Kam bindjen se po. Vendi juaj ka qenë definitivisht një partner shumë i mirë gjatë kohës që unë isha në këtë detyrë. Kishim marrëdhënie të afërta dhe oficerët shqiptarë vinin për trajnim në SHBA e oficerët amerikanë punonin me ta për të krijuar një program trajnimi të ngjashëm me programet tona në Fort Benning, Georgia.

Sa dhe në çfarë mënyre SHBA, e ka mbështetur Shqipërinë në aspektin ushtarak?

Në kohën që isha në atë post, kishim një program shumë të fuqishëm për pjesëmarrjen shqiptare në programe ushtarake. Përfshi këtu oficerë shqiptarë që vinin për trajnim në USA si dhe oficerë amerikanë që punonin me ushtrinë shqiptare për programe trajnimi. Kishim një program të fortë Amerikë-Shqipëri, si dhe një program akoma më të fuqishëm ku Shqipëria mori pjesë në programin e NATO-s që quhej Partnershipi për Paqe. Marrëdheniet midis dy vendeve kanë qenë shumë të afërta në ato kohë. Nuk mund të komentoj se si gjërat janë zhvilluar ndër vite, si dhe për gjendjen e tashme, pasi informacioni im nuk është i azhornuar.

Në një nga vizitat e mia në Shqipëri, mora me vete edhe bashkëshorten time. Ndërkohë që unë kryeja vizitat e mia me Presidentin dhe Ministrin e Mbrojtjes, ajo kryente gjithashtu vizita me zyrtarë të tjerë e bashkëshortet e tyre. Vizituan një spital ushtarak që ishte në gjendje të mjerueshme për sa i përket pajisjeve dhe riparimeve. Kur ime shoqe u kthye në Amerikë, ajo u interesua që garda kombëtare amerikane, të shkonte në Shqipëri gjatë trajnimit të tyre veror. Kështu që ata shkuan për gati 6 javë, me sa mbaj mend dhe ndihmuan në rehabilitimin e spitalit duke e konvertuar kështu nga një spital që kishte shumë nevojë për pajisje, në një spital modern. Pajisjet e radiologjisë erdhën nga bazat amerikane në Gjermani. Kjo nuk ishte një iniciativë zyrtare, por akte individuale qytetarie dashamirëse humane, duke përdorur pajisje zyrtare të forcave Amerikane që kishin tepruar në Gjermani, në kohën kur trupat amerikane po largoheshin nga Gjermania. Kështu që pajisjet i transferuan në Shqipëri. Garda amerikane që punonte atje, veproi nga zemra dhe bashkë arritën të transformonin spitalin ushtarak, në një spital efektiv funksional modern. Qeveria shqiptare ishte shumë e kënaqur me atë çka arritëm të bënim në atë kohë dhe i dhanë sime shoqe medaljen “Nënë Tereza”, për të cilën ajo është shumë krenare. Ky ishte një nga kontaktet tona më të afërta me Shqipërinë ndër vite. Me siguri kjo nuk figuron nëpër rekorde zyrtare, pasi siç ju tregova, gjithçka u krye në mënyrë dashamirëse humane. Shqiptarët dhe amerikanët punuan nga afër për të arritur këto rezultate.

Kur ka qenë vizita juaj e parë në Shqipëri?

Hera e parë në Shqipëri ishte në 1994, pasi isha emëruar Sekretar i Mbrojtjes së SHBA.

Kosova sot është e pavarur, por përsëri ka probleme. Ju personalisht si i shikoni zhvillimet në Kosovë, sa është e gatshme SHBA për të qetësuar situatën atje dhe si janë raportet e mbrojtjes SHBA – Kosovë?

Nuk jam një burim i mirë për të përshkruar situatën e tashme atje, pasi nuk jam në qeveri tani, ndaj nuk marr informacione të detajuara siç merrja kur isha Sekretar i Mbrojtjes. Çfarë di, janë ato që lexoj nëpër gazeta. Kështu që nuk mund t’ju jap një koment të mirëinformuar.

Gjatë kohës që ishit Sekretar i Mbrojtjes Amerikane keni patur rast të vizitonit Kosovën?

Jo, nuk kam patur rast.

Po në Shqipëri kur keni qenë për herë të fundit?

Gjatë kohës që isha ende Sekretar i Mbrojtjes së SHBA, në vitin 1996.

Dr. Perry, gjatë kohës kur ishit Sekretar i Mbrojtjes, keni kontaktuar disa herë me ish ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Safet Zhulali. Ç’mund të na thoni me konkretisht, se si e keni njohur Zhulalin?

Zhulali nuk kishte background profesional ushtarak, por ishte shumë inteligjent dhe njeri me integritet. Kemi punuar shumë nga afër së bashku. Ishte një eksperiencë e mirë të mësuari për të, se si të bëhej Ministër i Mbrojtjes së vendit meqënëse nuk kishte background të tillë. Ai punoi shumë në atë drejtim. Kisha një opinion të lartë për të. Përveç marrëdhënies të mirë profesionale kishim gjithashtu edhe një marrëdhënie të mirë personale.

Por duhet përmendur këtu se ishin edhe individë të tjerë ushtarakë profesionalë, gjeneralë, kolonelë, të cilët ishin shumë të vendosur të transformonin ushtrinë shqiptare në një ushtri moderne dhe efektive, e me padurim prisnin të shihnin këto ndryshime. Ata punonin nën liderishipin e Ministrit, por ndërmerrnin edhe iniciativa gjithashtu. Pra ishte përpjekje e përbashkët me ushtarakët profesionistë, të cilët punuan shumë në këtë drejtim.

Përveç Ministrit e Presidentit, u takova dhe krijuam relata të afërta edhe me shumë profesionistë të tjerë të fushës së mbrojtjes, që nga gjeneralët deri tek oficerët më të rinj. Vizitova disa nga bazat e tyre ushtarake disa herë. Fola me trupat e mbajta fjalime. Pra marrëdhënia jonë nuk ishte vetëm me Ministrin por edhe me ushtrinë.

Me Zhulalin keni nënshkruar Dokumentin e Partneritetit për Paqe. Si u arrit deri këtu?

Partnershipi për Paqe erdhi shumë herët në mandatin tim. Objektivi ynë kryesor ishte që të arrinim që shtetet e europës lindore që kishin qenë anëtare të Paktit të Varshavës, të bëheshin anëtare aktive në Partnership. Kështu që i vizitova të gjitha këto shtete dhe u takova me Presidentët përkatës, si dhe Ministrat e Mbrojtjes, e gjeneralët, që t’i inkurajoja jo vetëm t’i bashkoheshin Partnershipit, por edhe të bëheshin anëtarë aktiv. Për disa nga këto vende, si psh për Shqipërinë në veçanti, qëllimi ishte edhe të sillnin disa nga oficerët e tyre të rinj më të mirë për trajnim në SHBA.

Mbaj mend se një oficer i ri shqiptar, mbase kapiten apo major (nuk më kujtohet emri pasi kanë kaluar shumë vite), ndoqi një trajnim rigoroz “Rangers” në Georgia, SHBA. Ky është trajnim për ushtarakët elitë dhe i riu shqiptar e përfundoi kursin shkëlqyeshëm. Pasi u kthye në Shqipëri, implementoi një program trajnimi të ngjashëm për ushtaret shqiptarë. Gjatë njërës prej vizitave të mia në Shqipëri, më ftoi në një demonstrim. Ai mblodhi të gjithë të rinjtë që po trajnoheshin dhe më kërkoi që të mbaja një fjalim për ta. Në momentin që unë u ngrita për të marrë fjalën, edhe ata brofën në këmbë e më përshëndetën me të njëjtën mënyrë tipike siç bëjnë edhe Rangers në Amerikë. Ai i kishte trajnuar më së miri. Ndoqa nga afër një nga trajnimet e tyre që ishin gjithashtu shumë rigoroze dhe preçize si në Amerikë. Mbeta shumë i impresionuar.

Sot këtë bisedë po e zhvillojmë në një nga universitetet më prestigjoze në Kaliforni dhe Amerikë. Ç’farë detyre mbuloni ju pranë këtij institucioni?

Prej 20 vitesh punoj këtu si profesor, minus 4 vite që shkova në Washington, DC për të shërbyer si Sekretar i Mbrojtjes së SHBA. Jam Profesor Emeritus pasi jam tërhequr nga detyra aktive. Vazhdoj të jap lektura por jo më rregullisht siç bëja më parë. Stanford-i është një vend shumë i dashur për mua. Këtu kam studjuar edhe unë. Siç e shihni edhe ju, është një kampus i mrekullueshëm. Zë një vend të veçantë në zemrën time.

Kam jetuar këtu pothuajse gjithë jetën time së bashku me familjen, me dy shkëputje, e para në vitet 70-të për të shërbyer si NënSekretar i Mbrojtjes në fushën kërkimore dhe inxhinieri, dhe pastaj në vitet 90-të ku mora postin e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA. Përndryshe kam qenë gjithnjë këtu, qoftë në krye të një kompanie mbrojtjeje elektronike që kam krijuar, ose duke punuar si profesor.

Pasi kryet studimet e larta, iu dedikuat fushës së mbrojtjes pasi e ndjetë se mund të jepnit më shumë në këtë fushë?

Ishte viti 1954 me sa mbaj mend, gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Ishin vite të rrezikshme. Unë kisha qenë në ushtri dhe ndjeva një obligim për të shërbyer më tej, kështu që ju dedikova kësaj fushe.

Në SHBA po zhvillohet fushta për zgjedhjet e ardhshme Presidenciale. Si e shikoni situatën?

Jam i shqetësuar për disa nga deklaratat që një nga kandidatët për President, Z. Trump, është duke bërë. Ndër të tjera, ai ka sugjeruar se NATO nuk është e rëndësishme. Mbase kjo nënkupton një keqkuptim për të mirat që NATO ka bërë, për disa prej të cilave folëm këtu sot. Shpresoj që nëse do të zgjidhej President i SHBA, Z. Trump do të ketë oportunitetin të ndryshojë pikëpamjet e tij mbi këtë çështje. Nuk kam ndonjë koment tjetër përsa i përket proçesit zgjedhor në SHBA.

Duke përfunduar bisedën këtu me ju Dr. Perry, çfarë do t’i uronit Shqiperisë?

Do t’i uroja Shqipërisë që demokracia e tyre të stabilizohet në mënyrë të palëkundur, ekonomia të përmirësohet, dhe njerëzit të jenë të lumtur, të kenë prosperitet e të jenë të lirë. Shqipëria është një vend shumë i bukur. Kam vizituar dhe udhëtuar nëpër shumë pjesë të vendit. Shqiptarët që kam njohur janë njerëz shumë të zotë, shumë inteligjentë, për të cilët kam një opinion të lartë. Shqipërisë dhe shqiptarëve që kam njohur, i dërgoj përshëndetjet e mia më të ngrohta. I uroj një të ardhme të lumtur. Keni kaluar kohëra shumë të vështira në të shkuarën. Nga vendet e Traktatit të Varshavës, Shqipëria në veçanti ka pasur një qeverisje shumë të egër. Por njerëzit janë shumë të fortë dhe të qëndrueshëm, kështu që i keni mbijetuar atyre vështirësive. Besoj se Shqipërinë e pret një e ardhme e shkëlqyer./ dritare.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme