Ish-zëvendës Shefi i Shërbimit të Sigurisë ukrainase Andriy Naumov është arrestuar në Serbi nën dyshimin për pastrim parash.
Lajmin e bëri të ditur gazeta “E Vërteta Ukrainase”, duke cituar burimet e saj.
Rojet kufitare, shkruan botimi ukrainas, kanë ndaluar në pikën kufitare të Preshevës një veturë BMW.
Kjo e fundit, drejtohej nga shtetasi gjerman Alexander Akst, 36 vjeç. Naumov ishte në makinë me të.
Pas kontrollit në makinë, policia gjeti të padeklaruara 607 mijë e 990 euro, 124 mijë e 924 dollarë dhe dy smeraldë.
Të dy personat u ndaluan nga policia e Nish-it nën dyshimin për pastrim parash.
Ende nuk bëhet e ditur nëse në momentin e arrestimit ata kanë qenë duke lëvizur nga Maqedonia në Serbi, ose ka tentuar të kalojë nga Serbia në Maqedoninë e Veriut, transmeton Almakos.
Naumov drejtonte Departamentin Kryesor të Sigurisë së Brendshme të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës nga viti 2019 deri në korrik të vitit 2021.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i hoqi gradën Gjeneral Brigade dhe Shef i Drejtorisë kryesore të Sigurisë së Brendshme – Andriy Naumov – gjatë muajit mars.
Ai u largua jashtë Ukrainës disa orë para pushtimit të plotë të ushtrisë ruse më 24 shkurt.
Aktivitetet e tij aktualisht po hetohen nga policia vendase nën nenin “tradhti”. /Albanianpost.com