Ish shefi i UNMIK-ut, Steiner: Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale

Krimet serbe në Kosovë kanë ndodhur dhe ballafaqimi i Serbisë me të kaluarën e saj është në radhë të parë në interesin e vetë Serbisë.

Kështu thotë në një intervistë për Radio Kosovën diplomati Michael Steiner, ish-shef i UNMIK-ut dhe ish-këshilltar i kancelarit gjerman, Gerhard Schröder.

“Për sa kohë që Serbia nuk e bënë këtë, do të sorollatet si një zombi në historinë e saj”, nënvizon Steiner, teksa thekson se “pavarësia e Kosovës është fakt dhe realitet dhe nëse Serbia refuzon ta njohë këtë realitet, ky nuk është më problem për Kosovën, por për vetë Serbinë”.

Steiner ka folur edhe për përshtypjet për Kosovën, që nga koha kur e ka përfunduar mandatin si shef i UNMIK-ut.

“Gjatë kësaj kohe kemi parë ndërrim demokratik të qeverive dhe pushteteve, ndërsa janë zhvilluar mirë institucionet shtetërore. Gjithashtu, mund të shihet se ka pasur edhe një zhvillim politik të shoqërisë civile e cila ka evoluar nga një shoqëri e dalë prej dhunës dhe luftës, në një shoqëri civile gjithnjë e më stabile.

Natyrisht, edhe më tej ka probleme për sa i përket luftimit të korrupsionit, pastaj probleme të zhvillimit ekonomik, por parë në tërësi, kam një ndjenjë të mirë për arritjet e shënuara”, tha ai.

Ish shefi i UNMIK-ut theksoi më tej se Kosova tashmë është shtet sovran dhe ky është fakt.

“E para, Kosova tashmë është shtet sovran! Ky është fakt! Është fakt, realitet objektiv! Pyetja nëse Serbia e njeh këtë realitet, apo e refuzon, ky nuk është problem për Kosovën, por është problem për Serbinë, e cila po bllokon vetveten.

Për Kosovën, ç’është e vërteta, është me shumë rëndësi që për sa kohë ekziston ky realitet refuzues nga ana e Serbisë, Kosova të mos ketë disavantazhe praktike nga kjo gjendje. P.sh. të mos ketë pengesa gjatë anëtarësimit në organizata dhe institucione ndërkombëtare, pastaj të mos ketë pengesa në aspektin e zhvillimit ekonomik, sigurisë, udhëtimit të lirë etj.

Natyrisht, kjo do të duhej të vlente për të dyja vendet dhe kjo është vendimtare, prandaj kjo është edhe ideja bazike e Planit gjermano-francez për Normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, tha ai.

Ai është përgjigjur edhe rreth asaj që edhe 24 vjet pas luftës Serbia nuk po kërkon falje për krimet e kryera.

“Shihni! Objektivisht kjo çështje është sqaruar. Krimet serbe në Kosovë kanë ndodhur dhe për këtë organizatat ndërkombëtare kanë dhënë qëndrimin e tyre. Që Serbia të ballafaqohet dhe ta shohë këtë të vërtetë me sytë e saj dhe të marrë qëndrim për këtë realitet që ka ndodhur, është në radhë të parë në interesin e vetë Serbisë.

Po e them këtë si gjerman, duke u nisur nga historia jonë gjermane. Je vërtet i lirë të ndërtosh dhe formësosh të plotë të ardhmen tënde, vetëm atëherë kur gjen forcë për të njohur anën negative të së kaluarës tënde. Për sa kohë që nuk e bën këtë, atëherë do të sorollatësh si një zombi në historinë tënde dhe kjo mund të shihet tek ata, që gjërat e pakëndshme përpiqen t’i fshehin nën tepih. Sido që të jetë, e rëndësishme është që objektivisht gjërat janë të qarta, janë sqaruar dhe është thellësisht e domosdoshme që Serbia të konfrontohet me të kaluarën e saj kriminale, për të çliruar vetveten, në mënyrë që të mund të punojë me gjithë forcën drejt së ardhmes”, tha ai.

Ai ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tha se nuk sheh asnjë rrezik për Kosovën nga Asociacioni.

Ish shefi i UNMIK-ut nuk ka dashur të deklarohet për rastin e gjykimit në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së.

“Edhe për këtë çështje nuk mund dhe nuk do të ishte serioze të deklarohem”, tha ai.

Steiner është deklaruar edhe si e sheh të ardhmen e Kosovës.

“Nuk kam as një dyshim, sepse tashmë rruga për integrime euro-atlantike është e trasuar. Kosova është një vend evropian dhe i përket familjes evropiane ku e ka vendin dhe duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. E di që kjo rrugë ka zgjatur shumë dhe është e gjatë, aq sa nganjëherë më irriton edhe mua pse funksion disi ngadalë. Sidoqoftë, perspektiva evropiane e Kosovës është qartë e siguruar. Nuk e di se kur kjo ditë do të vijë, por e di që kjo ditë do të vijë…”, tha ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme