Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dhënë deklaratën e tij në seancën gjyqësore të mbajtur në Apelin e GJKKO-së, pasi ai kërkon lirimin e tij.
Sipas Metës, shumica e pronave dhe të llogarive bankare, ishin në emër të ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Ish-Presidenti tha se kishte besim të plotë tek Kryemadhi e se çdo gjë bëhej sipas kërkesave të ligjit.
“siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime , e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo. Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.”, tha Meta.
Po kështu, Meta tha se “nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time.”
Ilir Meta:
Lidhur me pretendimet për mosdeklarime të shpenzimeve, i konsideroj tërësisht tendencioze.
Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time.
Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime , e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo. Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.
Unë asnjëherë nuk kam refuzuar si individ të bëj deklarimin sipas nenit 5 të ILDKPI.
Po kështu, sipas nenit 22 të ILDKPI nuk mbaj përgjegjësi për deklarimin e familjarëve dhe po kështu asnjëherë nuk kam patur sipas nenit 32 as njoftim dhe as gjobë, as nga ILDKPI dhe as nga Tatimet.