Gazetare: Ajnur Bafqari
Ministria e Mjedisit Jetësor po planifikon uljen e ndotjes së ajrit nga 50 deri në 70 për qind.
Ministri, Izet Mexhiti tha se bëhet fjalë për projektin për gazifikim të tërësishëm të shtetit, për çka ditë më parë, ministria ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me një kompani turke.
Mexhiti nënvizoi se po bëhen përpjekje serioze edhe për pastrimin e mbetjeve të rrezikshme.
“Sa i përket ajrit të pastër, pardje u nënshkrua memorandumi edhe me kompaninë turke “Aksa” që përfshin gazifikimin e tërësishëm të Maqedonisë dhe ndërtimin e sistemeve kogenerative, të cilat 50 deri në 70 përqind, do ta pastrojnë ajrin në nivel shteti. Po ashtu dje kemi pas takime serioze për pastrimin e mbetjeve të rrezikshme, siç janë lindani në Ohis, në Jugohrom në Tetovë dhe në Llojan- Vakcincë, pra tre pika të nxehta që dëmtojnë shëndetin dhe ambientin e qytetarëve”, tha Izet Mexhiti, Ministër i Mjedisit Jetësor.
Mexhiti gjithashtu tha se po ndërmerren masa edhe për deponitë joligjore, që tashmë një kohë të gjatë paraqesin problem për vendin.
“Sa u përket deponive të egra, ato janë 100 për qind nën kompetenca të komunave, por edhe përkundër kësaj, ne kemi ndarë dhe këto ditë do të veprojmë në Nikushtak dhe Koçan, në deponitë e egra, pra në Likovë dhe Koçan. Ndërsa janë ndarë edhe 30 milionë denarë, me rebalans, afër 500 mijë euro, pra për pastrimin e deponive të egra”, u shpreh Izet Mexhiti, Ministër i Mjedisit Jetësor.
Mexhiti i njoftoi këto masa pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve të 33 komunave me ministrinë e mjedisit. Bëhet fjalë për 43 projekte, që kapin vlerën 227 milionë denarë mjete të ministrisë, të cilat nuk kanë lidhje me kredinë hungareze.
Këto mjete janë të alokuara për rindërtimin e rrjeteve të kanalizimit, ujësjellësit dhe projekte të tjera të ngjashme. Mexhiti tha se kanë fituar projektet më të mira, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake. / Alsat.mk




