Izmaku: Të tronditur nga pamjet e dëbimit të banorëve në “Dardani”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku që foli në emër të Grupit parlamentar tha se opinioni i Kosovës është tronditur nga pamjet e rënda të dëbimit të banorëve nga ndërtesat në lagjen “Dardania”.

Ajo tha se deputetët nuk mund të qëndrojnë indiferent ndaj këtij rasti.

“GP i PDK-së, në mbledhjen e rregullt e ngriti si çështje këtë ngjarje aspak të mirë për sytë tanë, ku ne prezantuam shqetësimet tona lidhur me rastin…Nga informacionet që kemi mbledh nga të gjitha ato që janë thënë publikisht në media, nga të gjitha palët e përfshira në këtë rast, rezulton se kemi të bëjmë me një numër të madh të familjeve, të vendosura për banim në këto ndërtesa, që nga përfundimi i luftës. Pamundësia për tu rikthyer në vendbanimet e tyre, të shkatërruara nga lufta, dhe nevoja emergjente për strehim, ka rezultuar fillimisht në vendosjen e tyre në këto prona”, tha Izmaku.

Ajo tha se strehimi është e drejtë njerëzore elementare e garantuar me Kushtetutë.

“Duke mos dashur të paragjykoj e as që kjo fjalë imja të interpretohet si presion mbi sistemin tonë gjyqësor, nga forma si është bërë dhe koha kur është ndërmarrë aksioni, si deputete e këtij kuvendi, kam një varg dilemash sa i takon vendosjes së ligjshmërisë, për rastin në fjalë”, tha Izmaku.

“…Si rrjedhojë, Komuna e Prishtinës gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, në vend që të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë, duke legjitimuar të drejtën e shfrytëzimit të pronës me afat të caktuar, apo sigurimin e strehimit në vendbanim tjetër për banorët e asaj ndërtese, të drejta këto qytetare që burojnë nga ligji dhe detyrimet e pushtetit komunal, kanë gjetur mënyrën e zgjidhjes së kësaj problematike, duke na vënë të gjithëve në pozicione aspak të lakmueshme, dhe mbi të gjitha duke vënë banorët në një situatë, që siç e pamë mund të rezultojë edhe me fatalitet për secilin prej tyre…”, tha ndër të tjera, Izmaku.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme