Teatri Kombëtar Shqiptar vazhdon të jetë i mbyllur për publikun. Edhe pse punimet kanë përfunduar dhe ministrja e Kulturës paralajmëroi më herët këtë vit se teatri do të hapet në pranverë, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Drejtori i këtij teatri, Adem Karaga në një deklaratë për mediat, ka sqaruar arsyet se pse hapja e teatrit nuk u bë në pranverë. Sipas tij, është planifikuar që hapja të bëhet më 10 korrik, për të shënuar përvjetorin e 71 të themelimit të Teatrin Kombëtar Shqiptar në Shkup.
Ai tha se, kanë pasur probleme me kulmin por, siguroi se për të njëjtat janë ndërmarrë masat e duhura. Po ashtu, theksoi se pandemi ka zvarritur çështjen e hapjes.
“Sigurisht që brenda gjithë kësaj periudhe ne, si çdo shtëpi normale dhe institucione, kërkon kohën e mirëmbajtjes dhe kërkesave që shtëpia ka vazhdimisht. Ne kemi pasur disa telashe të vogla me kulmin, gjë për të cilën ne kemi marrë masa e duhura për tu rregulluar dhe me keqardhje shumë të madhe për hir të situatave pandemike që ne të gjithë i përjetuam. Për fat keq vjet në 70 vjetorin e teatrit ne nuk patëm mundësi për të bërë hapjen e teatrit, sigurisht rrethanave dhe sivjet po e gjejmë rastin dhe mundësinë e 71 vjetorit të ditëlindjes së teatrit që nga shfaqja e parë e cila ka ndodhur në 1950 më 12 korrik, është bërë premiera e parë në teatrin shqiptar, “Martesa e Gogolit”. ka deklaruar ai.
Hapja solemne e Teatrit Shqiptar në Shkup që nga nëntori i vitit 2019, ishte në procedurën e pranimit teknik, që nënkupton dhënie të lejes për lëshim në përdorim të objektit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjes.