Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), përmes një vendimi të publikuar në ueb-faqen e saj, ka bërë me dije se ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka hequr dorë nga menaxhimi i dy bizneseve private “Bon Vivant” dhe “Tranquille” me ç’rast ka shmangur konfliktin e interesit.
Në vendim, AKK thotë se menaxhimi i tyre paraqet konflikt të mundshëm interesi në bazë të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
AKK, në vendim, thotë po ashtu se Ismaili është pajtuar me gjendjen, por është arsyetuar se nuk ka qenë i informuar, “por ka deklaruar se do të veprojë sipas ligjit në fuqi për të parandaluar situatën e mundshme të konfliktit të interesit duke sjellë dëshmi se nuk do të figurojë si person i autorizuar në këto biznese”.
“Pas këtyre veprimeve, nga z. Uran Ismaili, Ministër i Shëndetësisë, kemi pranuar dokumentet zyrtare të lëshuara nga ARBK-ja, ku dëshmohet se zyrtari i lartë, Uran Ismaili, nuk figuron më si person i autorizuar në bizneset private me emër ‘Bon Vivant’ dhe ‘Tranquille’”, ka thënë AKK në vendimin e saj, raporton Koha.net.
AKK thotë se me këtë veprim, ministri ka shmangur gjendjen e mundshme e konfliktit të interesit, mirëpo ka thënë se rasti mund të rihapet në çdo kohë kur mund të paraqiten rrethana tjera.