“Jam ndjerë djalë që kur kam lindur”, Lali tregon pse zgjodhi të ishte burrneshë: Nuk kam veshur kurrë fustan, nuk e di çfarë është

Burrneshat (të njohura edhe si virgjëreshat e betuara) i përkasin një tradite që u krijua dhe u zhvillua përgjatë një periudhe disashekullore, por që vazhdon të jetë e pranishme edhe sot, kryesisht në disa zona periferike të veriut të Shqipërisë.

Arsyet e lindjes së kësaj tradite lidhen me një sërë faktorësh, në bazë të të cilëve qëndrojnë rregullat që organizonin dhe orientonin shoqërinë e dikurshme. Ndër këta faktorë, më themelorët lidheshin me nevojën që kishin familjet pa një trashëgimtar mashkull për të ruajtur pasurinë familjare, për të shmangur ndonjë konflikt me pasoja fatale, për shkak të kushteve të vështira të jetesës.

Por ishin edhe vetë femrat ato që merrnin një vendim të tillë, pasi dëshironin që të bënin një jetë të tillë. Kjo traditë, edhe pse në përmasa më të vogla, vijon ende sot në disa zona të Shqipërisë.

Në studion e emisionit “Shqipëria Live” në “Top Channel” ishte e ftuar burrnesha, Diana Rakipi, e cila njihet ndryshe si Lali. Kjo e fundit tha se nuk është penduar asnjëherë për vendimin e saj, pasi “janë betime që janë bërë dhe nuk kthehen më pas kurrë”.

“Ajo është zgjidhja e imja. Unë jam ndjerë djalë që kur kam lindur. Nuk kam veshur kurrë fustan, nuk e di se çfarë është,”- tha Lali, e cila shtoi se familja e saj e ka aprovuar menjëherë vendimin që do bëhej burrneshë.

“Mamanë e kam prej Gjakove. Stërgjyshi im ka qenë njeri i zgjedhur i Zotit, i kam me fakte. Kur kam lindur unë, më thoshte gjyshja se stërgjyshi ka thënë: ‘Në fisin filan lindi djalë’. Para meje ka vdekur një djalë nga syri. Është shkruar që atëherë që unë të isha burrneshë”,-tregoi ajo.

E pyetur se sa burrnesha janë tani në gjithë Shqipërinë, Diana tha: “10”. Madje ajo shtoi se shumë vajza të reja, gjimnaziste i thonë se duan që të bëhen burrnesha.

“Por më bën përshtypje, ka vajza të reja që më thonë dua të bëhem burrneshë. I pyes se çfarë ju mungon, arsyeja? Ti nuk e ke hequr kohën e vështirë”, rrëfen Lali.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme