Marrëdhëniet politike mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera, po ashtu edhe bashkëpunimi ekonomik. Marrëdhëniet mes dy popujve janë miqësore dhe gjithmonë ka partneritet, miqësi dhe simpati sepse ata janë të lidhur me lidhje historike, tha kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, në një konferencë për media me homologun e tij maqedonas, Afrim Gashi.
Jandrokoviq theksoi se minoriteti kroat në Maqedoni është krenar që është këtu dhe e respektojnë këtë atdhe, por janë krenarë edhe për rrënjët e tyre kroate. Ai thotë se e njëjta gjë vlen edhe për pakicën maqedonase në Kroaci.
“Popujt tanë janë ura e miqësisë”, shtoi Jandrokoviq.
Lidhur me rrugën evropiane të Maqedonisë, Jandrokoviq thotë se “e di se si ballafaqohemi me probleme dhe se si anëtarësimi ynë në NATO ishte i mbushur me pengesa, por edhe se pengesat ende ekzistojnë. Keni mbështetjen tonë për të vazhduar në atë rrugë dhe për t’i zgjidhur ato probleme. Është mirë të kemi një aleancë, jo vetëm brenda NATO-s por edhe brenda BE-së”, tha Jandrokoviq i cili gjatë qëndrimit të tij në Maqedoninë e Veriut do të realizoj takim edhe me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.