Janjeva e suxhukut, e metalit dhe e plastikës

“Shushurima e zogjëve nëpër mëngjese na mësoi ta bëjmë suxhukun”. I ndjeri Filip Paliq kohë më parë kishte rrefyer për ‘’Gazeten Ulpianapress’’ se si një shushurimë në kajde zogjsh kishte frymëzuar janjevasit ta nisin hesapin e prodhimit të suxhukut shtëpiak që më vonë do të njihej jo vetëm në Kosovë, por gjithandej ish – Jugosllavisë si suxhuku i Janjevës. Vetë kroati Paliq, që kishte lindur dhe ishte rritur deri sa vdekja e mori , siç thote ai në Janjevën e tij të zemrës, fliste për kohërat që prej vitit 1938 e deri më sot, për suxhukun se si është bërë në këtë vend, cili ka qenë nami i tij dikur dhe çfarë në të vërtetë është sot. Por ka një problem. Janjeva e tij në fundin e vitit 2011 është më e heshtur se asnjëherë më parë. Duket si e lodhur nga një vapë e gjatë. Disa pika shiu e bore që ranë pikërisht në këtë dhjetor duket se ia shuan etjen këtij mjedisi. Edhe përrocka mes vendit të lashtë që dikur gumëzhinte aq shumë nga gjallëria është njëlloj e heshtur. Në qarshinë e njohur të Janjevës mysafirët dallohen menjëherë. Vendësit të përshëndesin me kulturë, qofsh i njohur për ta, apo jo. Njerëz që jetë e mot kanë krijuar harmoni mes vete e komunitetesh. Tash për tash shumë prej tyre shpenzojnë “bërrylat” në tavolina kafehanesh. Kujtojnë kohërat e hershme, e të lavdishme. E kujtojnë edhe suxhukun. E kujtojnë edhe metalin e plastikën.

Suxhuku i Janjevës i njohur nga viti 1938

Për më tepër, në qendër të qarshisë janjevase kishte banuar kroati Filip Paliq. Ai ka lindur në Janjevë pikërisht në vitin 1933, por thoshte se e mban mend suxhukun që prej moshës së tij 5 vjeçare. “Unë mbaj mend që prej vitit 1938 në Janjevë ka filluar prodhimi shtëpiak i suxhukut. Nga e gjithë Kosova kanë ardhur këtu për ta blerë suxhukun që ngadalë bëhej i shijshëm për të gjithë njerëzit. Dhe, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga hapësira të tjera të ish – Jugosllavisë kanë ardhur për suxhukun e këtushëm, për dreka zyrtare me suxhuk etj”, kishte rrëfyer Paliq, për gazetën. Mirëpo, numërimi në kohë prej 75 vjetësh më vonë qysh kur ai mban mend zanafillën e suxhukut janjevas gjërat kanë ndryshuar shumë. Për fatin e keq, jo për të mirë. Rruga e suxhukut, sipas tij, është përshkruar me shumë kthesa, më shumë rënie, por me ma shumë ngritje. Ngritje ka pasur sidomos deri në vitin 1990. “Deri në kohën kur nisi të shpërbëhej Jugosllavia, këtu ka pasur biznes të jashtëzakonshëm me suxhuk. Pas kësaj, kroatët nisën ta braktisin Janjevën, e bashkë me të nisi të shembej edhe interesimi për Janjevën, si vatër që shquhej për suxhukun e mirë. Sot fatkeqësisht, ato kohëra nuk po kthehen më. Nuk është më kënga e vjetër”, kishte shtuar Paliq. Ndër prodhuesit e vetëm kroat, tash për tash në Janjevë ka mbetur vetëm një kroat, Ivan Paliqi. Ky i fundit nuk ka parapëlqyer të flasë shumë për suxhukun e tij që ka vazhduar traditën shumëvjeçare. Madje, është shprehur i zhgënjyer, sepse siç ka thënë shkurt ai, disa vende të tjera në Kosovë po e shesin suxhukun duke e proklamuar se është i Janjevës, e që në fakt sipas tij nuk është ashtu.

Janjeva e metalit dhe e plastikës e deri te kalldërmi në rrugë

Nuredin Thaçi, është një janjevas i kahershëm që ka pasur në duart e tij shumë aparate kroatësh që përpunonin dhe prodhonin gjëra metali e plastike. Ai me mjeshtrinë e tij ishte bërë shumë i dashur për kroatët janjevas, të cilët kanë garuar ta kenë afër. Mirëpo, edhe ky shprehet se nga një traditë e madhe që ka pasur Janjeva në prodhime metali dhe plastike sot po shuhet gjithçka. “Janjeva ka furnizuar shumë mjedise me prodhime metali dhe të plastikës, por sot është krejt ndryshe nga kohët e mëparshme”, ka thënë ai. Ndërkohë që, Xhevat Berisha, autor i një historie për Janjevën thotë se në kohën kur Janjeva ishte e shtruar në kalldërm ose kocka guri Parisi i sotëm ecte nëpër baltë. Sipas tij, deri vonë Janjeva ka qenë e vetmja qytezë në Evropë, e cila ka pasur hyrje dhe nuk ka pasur dalje. Sipas tij, Janjeva ka qenë shumë e njohur edhe si vendi me industrinë më të zhvilluar në kohërat e lashta Ilire, e deri ne kohërat e sotme me industri të përpunimit të metalit. “Janjeva që nga kohërat e largëta kishte popullatë shqiptare, kroate, fise të cilat në fakt erdhën nga Dubrovniku i vjeter, apo Raguza, për ta ushtruar zejën e tyre, që ishte përpunimi i metalit dhe mbi bazën e këtij biznesi krijuan familje deri në kohërat e sotme”, rrëfen Berisha. “Në Janjevë edhe sot ushtrohen zejet e vjetra, përpunimi i metalit dhe zejet e tjera që kanë të bëjnë, sidomos me prodhimin e plastikës. Por, tani shumica e popullatës merret edhe me bujqësi e blegtori, si pasojë e kolapsit të ndërrmarrjeve shoqërore”, ka shtuar ai. Në fund, nga të gjitha ato që shkruhen e nuk shkruhen për Janjevën e lashtë 700 vjeçare, një është e sigurt, ky vend po rrezikon të mbetet pa pamjen, traditën dhe krenarinë e dikurshme./Ulpianapress/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme