Në kuadër të Javës së Pavarësisë, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka takuar kryetarin e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefik Sadiku.
Po ashtu pjesë e këtij takimi ishin edhe ish të burgosur të tjerë politik, veprimtarë të shquar, Hydajet Hyseni, Meriman Braha, Selatin Novosella, Ilmi Ramadani, Xhevat Bislimi, Lumnie Azemi-Morina, Salihe Salihu, Berat Luzha, Zymer Neziri e Xhemajl Pllana, të cilëve iu ka shprehur mirënjohjen për kontributin e madh dhe sakrificën në rrugën e çlirimit.
“Kam qenë vetëm 15 vjeç kur më kanë burgosur për herë të parë, pasi kisha bërë betimin si pjesë e grupit të organizuar të ilegalistëve të Ferizajt, “Shote Galica”. Nga ajo ditë, asnjëherë nuk më janë ndarë përndjekjet dhe sfidat” – kishte thënë Salihe Salihu, ish e burgosur politike.
Krasniqi ka thënë se rrëfime të ngjashme kanë me mijëra ish të burgosur politikë, shqiptarë të Kosovës, të cilët për dekada të tëra kanë vuajtur represionin e vazhdueshëm serb si pasojë e veprimtarisë së tyre për liri.
Ai shtoi se falë edhe guximit dhe veprimtarisë së tyre, Kosova është në prag të festimit të 15 vjetorit të pavarësisë së shtetit, “në të cilin kemi nevojë më shumë se kurrë të besojmë, mos ta braktisim dhe të punojmë çdo ditë për të”.
“Shoqatë, e cila ka mijëra anëtarë ish të burgosur politik, meriton kushte më të mira dhe mbështetje të vazhdueshme dhe të garantuar nga shteti”.
“Vetëm duke ndërtuar një shtet të fuqishëm dhe prosperues, do të jetësojmë edhe idealin shumëvjeçar të atyre që sakrifikuan gjithçka për Kosovën”, tha Krasniqi.