Udhëheqësi i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Faik Hoxha, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë si dhe ajo e gjyqtarit.
Këtë veprim thotë se e ka bërë për shkaqe shëndetësore.
Hoxha ka udhëhequr këtë departament prej vitit 2013. Më herët ai ka qenë prokuror në Prokurorinë Komunale të Prishtinës.
Hoxha përmendet në dosjen e Azem Sylës, si njëri prej zyrtarëve që ishin korruptuar nga grupi i tij për të mos i hetuar ata. Përmendet një ryshfet prej 20 mijë eurosh në dosjen e prokurorit të EULEX-it, Danillo Ceccarelli.
Grupi i dyshuar i Azem Sylës, dyshohet se kishte arritur që ndikimin e vet me anë të ryshfetit, kërcënimeve e frikësimit, ta shtrijë në Agjencinë Kosovarë të Privatizimit, në Gjykatën Komunale të Prishtinës, në polici, dhe në Prokurori.
Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe përgjimeve telefonike, Hoxha e kishte mbyllur këtë rast duke mos e hetuar Nuhi Ukën, në këmbim të një ryshfeti prej 20 mijë eurosh.
Dyshimi ndaj gjyqtarit Faik Hoxha janë nxjerrë nga përgjimi i 29 janarit 2010 i bisedës mes Shpresim Ukës dhe Fahredin Gashit, ku përmendet rasti ‘Vujoviq’.
Sipas prokurorit, në këtë bisedë Shpresim Uka e ka bërë të qartë se prokurori i rastit, Faik Hoxha, ka kërkuar një ryshfet prej 20 mijë eurosh.
Faik Hoxha ka dhënë dorëheqje dje nga ky post – dy vjet parë se të dalë në pension të rregullt.
Dorëheqjen e ka konfirmuar vetë Hoxha për Insajderin.
“Arsyeja e dorëheqjes janë shkaqet shëndetësore…”, ka thënë ai, duke shtuar se pretendimet e prokurorit nuk i ka marrë seriozisht ngaqë sipas tij nuk ka pasur lidhje me atë punë.
Ndërkohë, që dorëheqja e Faik Hoxhës është konfirmuar edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda z. Faik Hoxha ka dhënë dorëheqje dje nga pozita e gjyqtarit për shkaqe shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore dhënë për Insajderin.
Grupi i dyshuar i Azem Sylës kishte arritur që ndikimin e vet me anë të ryshfetit, kërcënimeve e frikësimit, ta shtrijë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në Gjykatën Komunale të Prishtinës, në Prokurori dhe në Polici.
Në përgjimin që përmendet ryshfeti prej 20 mijë eurosh, bazohet dyshimi i Prokurorisë.
Shpresim Uka: Jo, po, po është ai prokuror. Ai njeri ka kërkuar 20 mijë.
Fahredin Gashi: Aha.
Shpresim Uka: Do të më tregojë kur përfundimisht, tash të shoh se çfarë më thotë ai./Insajderi.com