Osman Ejupi, anëtar i Bordit të Drejtorëve në Telekomin e Kosovës, i cili javën e kaluar ishte temë diskutimi në media për punësimin e katër anëtarëve të familjes në Telekom, sot ka ofruar dorëheqjen e parevokueshme nga kjo pozitë.
Indeksonline ka siguruar letrën të cilën Ejupi ua ka përcjell institucioneve kompetente.
Ai në letrën e largimit ka thënë se në cilësinë e anëtarit të Bordit nuk ka pasur asnjë kompetencë dhe asnjë ndikim në punësim dhe së dyti së punësimi i njerëzve të afërt sipas tij është bërë sipas procedurave të Telekomit të Kosovës.
“Përmes kësaj letre ofroj dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm nga pozita e anëtarit të Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, Sh.A. Ka qenë përgjegjësi e lartë dhe privilegj të ushtroj funksionet e Anëtarit të Borit të Drejtorëve nga prilli 2018 dhe edhe njëherë u ri-siguroj se funksionin tim si anëtar i Bordit e kam ushtruar me përgjegjësi, profesionalizëm dhe në secilin rast për interesin më të mirë të Telekomit të Kosovës. Sikurse është e dokumentuar në të gjitha minutat e takimeve të Bordit të Drejtoreve dhe Vendimet e marra, duke përfshirë edhe rastet shumë të ndjeshme të trashëguara në Telekomin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e dorëheqjes.