Diplomati i tretë më i lartë i qeverisë amerikane njoftoi dorëheqjen të enjten pas gati 35 vjet shërbim.
Ky është zhvillimi më i fundit i një rrjedhe të vazhdueshme të zyrtarëve të karrierës që janë larguar nga Departamenti i Shtetit që kur Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë.
“Vendimi im është personal dhe i nxitur nga dëshira për të qenë pranë familjes. Dua të vlerësoj atë që kam bërë e të vendos një drejtim të ri për vitet e mbetura”, tha Thomas Shannon në një deklaratë.
Sekretari i Shtetit Tillerson i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” se ai i kishte kërkuar zotit Shannon të mos jepte dorëheqjen dhe se e konsideronte largimin e tij, një humbje.
“Tridhjetë e pesë vjet përvojë nuk është diçka që e zëvendëson brenda natës” tha ai.
Zoti Tillerson vlerësoi zotin Shannon për njohuritë e tij “enciklopedike” të diplomacisë amerikane dhe shtoi se: “do të ketë gjithmonë një vend për Tom Shannonin në Departamentin e Shtetit”
Pavarësisht fjalëve vlerësuese të zotit Tillerson, largimi i zotit Shannonit ka të ngjarë të shkaktojë sërisht kritika nga kundërshtarët e administratës që akuzojnë zotin Trump dhe zotin Tillerson se po shkatërrojnë shërbimin e jashtëm.
Dorëheqja e Thomas Shannon krijon një tjetër zbrazëti në nivelet e larta të Departamentit të Shtetit, ku 13 pozicione për ndihmës sekretarë dhe nënsekretarë si dhe dhjetra vende për ambasadorë mbeten të paplotësuara.
60-vjeçari Thomas Shannon ka rënë dakord të qëndrojë në agjenci për disa muaj, deri në miratimin e një nënsekretari nga Senati.
Zoti Shanon është një figurë shumë e respektuar në komunitetin diplomatik amerikan. Ai ka shërbyer nën gjashtë presidentë.
“… shërbimi im është përcaktuar nga betimi për marrjen e detyrës dhe angazhimi që marrim për të mbrojtur Kushtetutën , institucionet dhe vlerat tona”, tha zoti Shannon. /VoA