Eksperti britanik Tim Judah ka thënë se zgjedhja e Trumpit president të SHBA-së nuk do ta kthejë Kosovën në Serbi dhe ka shtuar se megjithatë kjo zgjedhje është e keqe si për SHBA-në ashtu dhe për botën tjetër, transmeton Koha.net.
Judah Trumpin e ka krahasuar me liderin radikalëve serbë Vojislav Sheshelin.
“E kam shumë të qartë se zgjedhja e Trumpit është e keqe si për SHBA-në ashtu dhe për pjesën tjetër të botës. Po ta krahasoja këtë me Ballkanin: Votuesit për Brexit, ashtu si i shoh unë, janë ata që në vitet e 90-ta e kanë përkrahur Sheshelin prandaj dhe nuk habitem pse ai e përkrah Trumpin, i ka thënë gazetës “Blic” të Beogradit Tim Judah.
Të dy, thotë ai, përfaqësojnë një lloj nacionalizmi destruktiv.
“Shesheli ka dashur që Serbinë ta bëjë të madhe (në dy kuptimet e interpretimit të kësaj fjale) e këtë e do edhe Trump, por jo territorialisht. Për ithtarët e Trumpit, meksikanët, latinoamerikanët dhe myslimanët janë si ustashët, xhihadistët, të cilët Trump do t’i deportonte në kuptimin e spastrimit të 11 milionë meksikanëve ose nga 15 mijë sish brenda ditës”,ka thënë Judah.
Sa i përket Ballkanit, Judah ka thënë se Trump mezi e di se ku edhe gjendet.
“Edhe nëse e di, e di sepse i ka treguar bashkëshortja. Por, megjithatë mendoj se me Clintonin do të kishte më pak befasi sesa me Trumpin i cili do të sjellë kaos politik e ekonom. Zgjedhja e tij që nuk është e mirë për botën, nuk është e mirë as për Serbi. Serbët nuk do të jenë më të lirë ose më të pasur dhe nuk do ta marrin Kosovën kur Trump të bëhet kryetar.