Kryetari i Mitrovicë së Veriut, Goran Rakiq, po vazhdon ta bllokojë procesin e caktimit të kufijve administrativë ndërmjet Mitrovicës Veriore dhe Mitrovicës së Jugut.
Pavarësisht lojërave të Rakiqit, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, sërish beson se kjo çështje do të zgjidhet para se të nisin takimet e radhës të negociatave të tjera në Bruksel, raporton KTV.
Bahtiri po ashtu beson se kryetari Rakiq do të pajtohet që Suhodolli të mbetet pjesë e Mitrovicës Jugore.
Thirrje për nënshkrimin e këtij memorandumi, kryetarit Rakiq i bënë opozita e Mitrovicës së Veriut.
Vetë kryetari Rakiq i ka thënë KTV-së përmes telefonit se është i gatshëm të bisedojë për një zgjidhje, duke mos treguar se cila do të ishte ajo.
“Jemi të gatshëm që të flasim dhe nuk ka problem që nuk mund ta zgjidhim, andaj pres që kryetari i Jugut, në bashkëpunim me ministritë në Prishtinë, të gjejë zgjidhje të përhershme lidhur me këtë”, ka thënë Rakiq.
Caktimi i kufijve administrativë të komunave rrjedh nga marrëveshja e gushtit të vitit 2015 në Bruksel.
© KOHA.