Ka dyshime se Serbia po i fsheh trupat e të pagjeturve

Gërmimet për gjetjen e trupave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk do të nisin deri në përmirësimin e kohës.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj për Indeksonline tha se ndërprerja e punimeve është bërë për shkak të kushteve atmosferike në disa lokacione ku do të gërmohet.

“Nisja e gërmimeve merr kohë sepse disa punime janë ndërpre për shkak të kushteve atmosferike si në Lupc edhe në varrezat e Tususit në Prizren dhe një pikë në Gjakovë. Kështu që me përmirësimin e kohës, ekipet profesionale të Institutit të Mjekësisë Ligjore në koordinim me Komisionin Qeveritar, Policinë dhe partnerë tjerë, do të vazhdojnë me punën”, ka thënë Gjetaj.

Sa i përket asaj se a do të gërmohet edhe në Serbi, Gjetaj thotë se presin përgjigje nga pala serbe rreth atyre lokacioneve të cilat janë shënjuar si të dyshuara.
“Për momentin , ende nuk jemi takuar këtë vit dhe sigurisht me anë të ndërmjetësit, që është Komiteti Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të koordinohet puna, delegacionet do të shikojnë se për cilat tema do të bisedohet. Sepse normalisht ne presim një përgjigje nga pala serbe rreth atyre lokacioneve të cilat janë të shënjuara si të dyshuara, për të cilat kemi bërë kërkesë me kohë. Ne presim që të futen në agjendën e gërmimeve vlerësuese lokacionet të cilat janë të shënjuara”, ka shtuar Gjetaj.

Ndërkaq, Fetnete Ramosaj nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ka thënë se, pala serbe që nga fillimi i ka zvarritur në maksimum të gjitha proceset që kanë të bëjë me zhvarrimet e trupave dhe mbetjet e eshtrave të të pagjeturve.

Ajo thotë se pushteti serb i di çdo mbetje mortore, por që nuk i tregon.

“Kur dihet se që nga viti 2001, vetëm në varrezat sekrete masive në Serbi janë gjetur trupat e mbi 1000 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Dhe përderisa ka pasur bartje të organizuar të trupave të të vrarëve gjatë luftës në Kosovë për në Serbi, pushteti serb e di me saktësi se ku gjenden edhe të tjerët, pasi që çdo mbetje mortore deri më tani është gjetur në kuadër të hapësirave të reparteve ushtarake e policore të Serbisë qoftë në Batajnicë, Petrovo Sello, Rashkë, etj”, është deklaruar Ramosaj.

Ramosaj ka shtuar se pala shqiptare duhet të bëjë presion më të madh të Serbia për të zbardhur fatin e të pagjeturve.

“Mendoj se pala shqiptare duhet të bëjë presion më të madh jo vetëm te pala serbe por veçanërisht te faktori ndërmjetësues ndërkombëtar për ta detyruar Serbinë që të zbardhë fatin e të pagjeturve dhe të dorëzojë mbetjet mortore të të gjithë atyre që i ka fshehur, për të zhdukur gjurmët e krimeve e të gjenocidit që e kreu në Kosovë”, ka thënë ajo.

Edhe 18 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë mbi një mijë e 600 persona rezultojnë të zhdukur.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme